Kredia për ekonominë u rrit për të tretin muaj radhazi në shtator. Megjithëse rritja është e ngadaltë, së fundmi kreditimi po shënon një seri pozitive në rritje, pasi kishte rënë gjatë gjithë pjesës së parë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë arriti vlerën e 535 miliardë lekëve, me një rritje prej rreth dy miliardë lekësh krahasuar me muajin gusht. Sidoqoftë, me bazë vjetore, kredia ngelet në rënie, me 3.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Së fundmi, edhe segmenti më problematik, ai i biznesit, po jep sinjale të zbehta përmirësimi. Gjatë shtatorit, kredia për biznesin u rrit me rreth një miliard lekë. Megjithatë, me bazë vjetore huaja për biznesin ngelet në rënie të ndjeshme, me afro 5% më pak. Vrojtimet e kryera nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vetë oreksi i sipërmarrjes për kredi është i ulët. Nga ana tjetër, bankat vazhdojnë të jenë konservatore, sidomos kur bëhet fjalë për ekspozime në shuma të mëdha.
Në kreditimin e individëve situata është dukshëm më pozitive. Për shtatorin, portofoli në këtë segment u zgjerua më tej me afro 400 milionë lekë. Në një vit, kredia për individët është rritur me mbi 4% dhe ka arritur vlerën e 183 miliardë lekëve. Tek individët, edhe oferta e bankave vazhdon të jetë më e lehtësuar, e favorizuar nga cikli i normave të ulëta të interesit.