MENU
klinika

Bien në 12.9%

Kreditë me probleme, niveli më i ulët në tetë vjet

05.10.2018 - 11:07

Raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivelin më të ulët të tetë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues në fund të muajit gusht zbriti në 12.9%, që përfaqëson nivelin më të ulët që nga qershori i vitit 2010. Për herë të parë gjatë këtij viti, raporti i kredive me probleme ka pësuar një rënie domethënëse, duke zbritur poshtë nivelit të 13%.

Gjatë këtij viti, efektin kryesor në uljen e këtij treguesi po e japin ristrukturimet dhe rikthimet e kredive, ndërsa deri vitin e kaluar rënia e kredive me probleme ishte sidomos rezultat i fshirjes së huave të humbura.

Banka e Shqipërisë nënvizoi në raportin e fundit të stabilitetit financiar se rënia e vlerave të fshirjeve sugjeron një rënie të ndikimit të këtij faktori në ecurinë e procesit të përmirësimit të kredisë dhe thekson nevojën për të rritur përpjekjet në drejtim të formave të tjera të zgjidhjes së kredive me probleme. Realisht, format e zgjidhjes që tregojnë një përmirësim organik të portofolit të kredisë, si shlyerjet apo ristrukturimet, duket se po japin një ndikim më të lartë.

Faktori që ende nuk po jep kontributin e pritshëm është zgjerimi i kreditimit. Një rritje e tepricës së kredisë do të ulte peshën specifike të kredive të këqija. Por, edhe këtë vit, huadhënia po ecën me ritme të ngadalta.

Në fund të gushtit, portofoli i kredisë rezultoi në rënie vjetore me 3%. Problemi kryesor ngelet kreditimi i biznesit, që vuan si nga oferta e shtrënguar e bankave, ashtu edhe nga një kërkesë ende e plogësht nga sektori privat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


BSH: Duhen forma të tjera

Bankat kanë fshirë 51 mld lekë kredi

5.6% është me probleme

Kredia jashtë vendit po përkeqësohet