MENU
klinika

Të fundit në Rajon

Një ndër shtatë shqiptarë ka kredi

25.10.2018 - 09:32

Përafërsisht, një në shtatë shqiptarë, ka një kredi në një prej bankave tregtare në vend. Të paktën në këtë përfundim arrin Fondi Monetar Ndërkombëtar, në anketën e “Aksesit financiar 2017”, që është një ndër mekanizmat më të saktë dhe më të detajuar të fondit, sa i përket aksesit të njerëzve në sektorin financiar, në secilën prej 180 ekonomive të ndryshme të botës.

Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë indikator janë ndër vite dhe paraqesin një situatë mjaft interesante. Rezulton se, në vitin 2005, vetëm 1 në 31 shqiptarë kishte një kredi. Përveç viteve 2009, 2013 dhe 2015, në të gjitha vitet e tjera, indikatori ka regjistruar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës.

Megjithë rritjen, depërtimi i kredisë bankare është më i ulët krahasuar me vendet e tjera të Rajonit. Në Maqedoni ky tregues është 333 hua për çdo 1000 banorë, në Bosnjë 292 për 1000 banorë, në Serbi 567 për 1000 banorë, në Malin e Zi 224 për 1000 banorë dhe në Kroaci 572 hua për 1000 banorë. Borxhlinjtë më të mëdhenj duket se janë turqit, ku pothuajse çdo individ e ka marrë një hua në bankë.

Në çdo 1000 persona, 803 kanë një llogari të hapur huaje. Në Itali ka 545 huamarrës për 1000 banorë.

Edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), huaja për ekonominë është ndër më të ulëtat në Europë. Sipas të dhënave që janë vënë në dispozicion nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, kredia në banka në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është vetëm 35%.

Në Mal të Zi ky tregues është 51%, në Bosnjë 55%, në Kosovë 37% dhe në Serbi 46%. Rekordin e mban padiskutim Turqia me 60% të prodhimit total ekonomik. Në fund të muajit gusht të këtij viti, stoku i kredisë në bankat shqiptare arriti shifrën e 533 miliardë lekëve. Me bazë vjetore, kredia ngelet në rënie, me 3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritet vetëm për individët

Kredia “me paterica”