MENU
klinika

Mbledhjet e FMN dhe BB

Sejko: Do kontrollojmë me rreptësi “bankierët” e rinj

15.10.2018 - 11:08

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë javën e kaluar në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore , të cilat u zhvilluan në Bali, Indonezi. Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.

Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim dhe shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.

Ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të japë gjithë mbështetjen e duhur, nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar, me synim nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se ai shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Rënia e mëtejshme e treguesit të kredive me probleme në nivelin 12.9%, më i ulëti në këto vitet e fundit, është një shenjë  mjaft pozitive, e cila i hap rrugë rritjes së pranisë dhe kontributit të sistemit bankar në ekonomi dhe nxitjes së mëtejshme të një kreditimi të shëndetshëm.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se sistemi bankar është aktualisht nën një proces konsolidimi dhe siguroi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së se Banka e Shqipërisë, në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor, do të ushtrojë me përpikmëri dhe rreptësi rolin e saj rregullator dhe mbikëqyrës, duke garantuar që aktorët e rinj në treg të përmbushin plotësisht kërkesat rregullative dhe ligjore të përcaktuara, e duke ruajtur të pacenueshëm stabilitetin financiar të vendit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Në veçanti, mbajtja e një kursi akomodues të politikës monetare, në harmoni me atë konsoliduese fiskale, ndërhyrjet në tregun valutor me qëllim ruajtjen e objektivit të inflacionit, si dhe kujdesi i vazhdueshëm i treguar në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar, u cilësuan si veprime mjaft të nevojshme dhe të përshtatshme, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Në vijim, ata nënvizuan se ekonomia shqiptare ka vijuar të ecë në një trajektore pozitive, ndërkohë që trajtimi i sfidave kryesore, me të cilat ajo përballet, është mjaft i rëndësishëm dhe mbetet një prioritet, vijimi i punës për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e eficiencës dhe zgjerimit të potencialit ekonomik.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN