Teuta në basketboll për meshkuj i ka bërë një nisje fantastike Ligës Ballkanike. Pas fitores në Durrës ndaj ekipit bullgar, Teuta fitoi edhe sonte në mbrëmje 88-64 ndaj kosovarëve të Bashkimit, takim që u luajt në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.
Një ndeshje me rivalitet dhe emocione vetëm në 10-minutëshin e parë, koha e mjaftueshme për të studiuar lojën e rivalit dhe më pas në fushë dominoi ekipi i Teutës.
Lodhja në fitoren ndaj Goga Basket në derbin durrsak pak ditë më parë nuk ndikoi aspak në këtë sfidë, pasi “djemtë e detit” ishin superiorë në parket në çdo drejtim dhe e merituan fitoren.
Hysenagolli shënoi 22 pikë dhe 13 rebaund, Copes realizoi 17 pikë e 9 rebaund, Hamati 14 pikë e 9 rebaund. Miqtë kosovarë e kishin të vështirë të rivalizonin. Teuta kryeson në Ligën ballkanike me 4 pikë të plota. Ndeshja e radhës për durrsakët është më 7 nëntor ndaj Kuzov të Maqedonisë.
Teuta – Bashkimi 88-64 (21-20, 28-16, 21-16, 18-12)