MENU
klinika

Ekspozita “Vizion kufijsh”!

Veprat e artistëve shqiptarë të shkolluar në Itali!

18.10.2018 - 12:51

Dje, në rezidencën e ambasadorit të Italisë në Tiranë, u ekspozuan në një mënyrë mjaft speciale veprat e artistëve shqiptarë të shkolluar në Itali. 

Kjo ekspozitë, e titulluar “Vizion kufijsh”, vjen për publikun shqiptar si një urë komunikimi mes dy vendeve, një lloj komunikimi vizual dhe gjuhësor.

Ekspozita vjen në kuadër të edicionit të 18-të të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, e cila ka nisur prej datës 15 e do të zgjasë deri në 21 Tetor. 

E hapur në rezidencën italiane, e cila ndodhet përballë Liceut “Jordan Misja”, ekspozita e cila shërben si një urë lidhëse mes Italisë si vend shkollimi dhe Shqipërisë, është një nga aktivitetet më të rëndësishme të kalendarit.

Ekspozita, përmban 42 vepra nga artistë, që kanë studiuar në shkollat italiane në Milano, Romë, Firence, etj. 

Ka mes tyre vepra të piktorëve Vangjush Mio, Simon Rrota, Ibrahim Kodra, Nexhmedin Zajmi, Lin Delija, Guri Madhi, Foto Stamo, Fadil Pullumbi, Vangjush Tushi, Hasan Reçi, Abdulla Cangonji, etj.

“Kjo ekspozitë ka dy fjalë kyçe: arti dhe gjuha. Rezidenca do të shërbejë si muze për publikun shqiptar ku do të shohë artin e artistëve të formuar në Itali si dhe mund të gjejë copa arti që bashkojnë dy vendet”, u shpreh ambasadori Cutillo.

Për vetë vendin ku hapet kjo ekspozitë, vizitat do jenë të hapura për publikun vetëm një ditë në javë.

Veprat e ekspozuara në “Vizion kufijsh” janë trashëgimi familjare, të ofruara për këtë aktivitet nga pasardhësit e artistëve, ose që tashmë janë bërë pjesë e koleksioneve private, të koleksionistëve Kozma Dashi, Leonidha Çobo, Ilir Voci, etj..

Mes punëve të ekspozuara gjen vepra në vaj, akuarele e vizatime, duke dëshmuar për momente të ndryshme të krijimtarisë dhe rritjes së këtyre artistëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN