Ka vijuar forma e mirë e Philadelphia 76ers në kampionatin e NBA, që triumfoi 119-114 në shtëpi me Phoenix Suns. Spikati në këtë takim Devin Booker me 37 pikë e 8 asiste, por skuadra nga Arizona nuk arriti ta shmangte humbjen, pasi për 76ers morën më shumë vlerë 33 pikët e Joel Embiid.
Ndërsa Boston Celtics pësuan humbjen e dytë radhazi dhe të tetën sezonale në parketin e Charlotte Hornets 117-112. Bëri gjithçka Irving, me 27 pikë dhe 11 asiste, por përballë një Kemba Walker “stratosferik” gjithçka ishte e kotë.
Plot 43 pikë realizoi “ylli” i Hornets, që po kalon një moment vërtet të jashtëzakonshëm. Në “Spectrum Center” të Charlotte u zhvillua një përballje krejtësisht e ekuilibruar, por në minutat vendimtare, ato të fundit të takimit, vendësit ruajtën qetësinë, duke fituar në fund me 5 pikë diferencë.
Humbje e papritur në 117-114 e Oklahoma City Thunder në parketin e Sacramento Kings. Edhe pse statistikat më të mira i kishin Russell Westbrook dhe Paul George, që shënuan respektivisht 29 dhe 27 pikë, triumfoi loja në grup e Kings, të udhëhequr nga Hield e Shumpert me 25 dhe 23 pikë.
Sfidë spektakolare në “Smoothie King Center” mes New Orleans Pelicans dhe San Antonio Spurs, me vendësit që triumfuan me rezultatin 140-126. Katër basketbollistë të Pelicans, Davis, Holiday, Moore dhe Randle realizuan më shumë se 20 pikë secili.