MENU

Sa 32.2% e PBB-së

Kredia është në “rënie të lirë”

14.11.2018 - 09:54

Kreditimi i ekonomisë shqiptare është në rënie të lirë. Analizuar në terma realë, kredia vitin e kaluar ra në 32.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky është niveli më i ulët në më shumë se një dekadë.

Rënia reale e kreditimit është theksuar sidomos në vitet e fundit. Ulja e vazhdueshme e portofolit të kredisë nga njëra anë dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike nga ana tjetër ka bërë që raporti mes këtyre treguesve të bjerë gjithnjë e më shumë. Në harkun e katër viteve të fundit, kredia ndaj PBB-së ka rënë me mbi shtatë pikë përqindje.

Analizat kanë treguar se ngërçi i kreditimit po ndikohet si nga kërkesa, ashtu edhe nga oferta për kredi. Megjithë përmirësimin e ekonomisë, kërkesa për kredi ende nuk është plotësisht e rimëkëmbur, sidomos në segmentin e biznesit. Kriza solli dështimin e mjaft korporatave të rëndësishme, çka, mes të tjerash, krijon një boshllëk edhe për sa i takon kërkesës për kredi bankare.

Në krahun tjetër, edhe bankat e kanë shtrënguar ndjeshëm kreditimin, sidomos për biznesin e madh, ku vlera e ekspozimeve është edhe më e lartë. Rënia e interesit për tregun shqiptar nga grupet bankare europiane dhe vendimi për t’i shitur bankat shqiptare e ka shtrënguar akoma më shumë ofertën për kredi.

Niveli i lartë i kredive me probleme ka qenë një barrier madhore për rritjen e kredisë. Megjithëse ky raport ka zbritur në nivele më të pranueshme, pranë 13%, sipas institucioneve të specializuara ato ngelen një faktor që pengon rritjen e kreditimit të ekonomisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shtatë vjet stanjacion

Kredia ka “ngelur” në vitin 2011

Rritet vetëm për individët

Kredia “me paterica”