Pas një nisje fantastike të sezonit nga kampionët në fuqi të NBA, tashmë Golden State Warriors është futur në krizë, teksa pësoi humbjen e tretë radhazi, këtë herë ndaj San Antonio Spurs, 104-92.
Skuadra nga Oakland e kishte të pamundur të përballonte sulmet e teksanëve që në fillim të ndeshjes, pa mundur që të merrte kryesimin qoftë në një moment të caktuar të garës.
Tentuan të bënin diçka Kevin Durant dhe Klay Thomson, me të parin që realizoi 26 pikë e kontrolloi 10 topa, ndërsa dyti u ndal me 15 pikë, por mungesa e Stephen Curry u ndie shumë. Aldrigde, me 24 pikë e 18 rebound, ishte prijësi i Spurs-ave në këtë sukses.
Ndërsa LeBron James ishte spektakolar për Los Angeles Lakers me 51 pikë, 3 asiste dhe 8 topa poshtë koshit, duke fituar 97-113 në fushën e Miami Heat. LeBron kishte përqindje të lartë realizimesh në “American Airlines Arena”, duke u treguar i saktë në 6 nga 8 gjuajtjet për tre.
Me 9 fitore në 16 ndeshje në total, Lakers janë të fundit (8) në zonën play 0ff në Konferencën e Perëndimit, ku në krye janë ngjitur Portland Trail Blazers. Por shpresat janë për t’u ngjitur më lart, për të mos rrezikuar.
Me Damian Lillard në superformë, Blazers fituan 109-119 në parketin e Washington Wizards. 40 pikë, 5 asiste dhe 7 rebound realizoi 28-vjeçari, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës McCollum, që e mbylli takimin me 25 pikë. Të padobishme për Wizards 24 pikët e Wall dhe 19 të Oubre Jr.
Memphis Grizzlies po zhvillojnë një sezon të mrekullueshëm, teksa vendosën në kasafortë suksesin e 10-të, duke kaluar 87-100 Minnesota Timberwolves. Marc Gasol shkëlqey në “Target Center” të Minneapolisit me 26 pikë e 13 topa poshtë koshit, ndërsa Conley shtoi 18 pikë të tjera për Grizzlies.