Lorik Cana ka dalë hapur në mbështetje të faktorit shqiptar në Maqedoni, duke e konsideruar atë si shumë të rëndësishëm për këtë vend. Këtë e ka bërë përmes një videoje, të bërë në funksion të organizatës joqeveritare “Don’t you 20% me”.
Ish-kapiteni i kombëtares kuqezi ka dhënë mbështetjen e tij për bashkombasit tanë në Maqedoni, të cilët janë elementë shtetformues dhe jo minoritet, sikurse tentojnë t’i përcaktojnë në Kushtetutë disa autoritete shtetërore atje.
35-vjeçari shfaqet me një bluzë të zezë veshur, në të cilën është shqiponja e bardhë e stampuar, që i përshtatet fjalës “Illyrian”, dy referenca të qarta kombëtariste.
“Erdhi përkrahja edhe nga Lorik Cana për vëllezërit në Maqedoni. Loriku është shembulli më tipik se si duhet atdheu, si lartësohet emri i shqiptarit në botë, si bashkohen ata, si përfaqësohet dhe si mbrohet ai. Për aq kohë sa ishte në fushën e lojës, ai dha gjithçka, grintën, shpirtin, pasionin, dashurinë dhe forcën prej një lideri”, – shkruan “Don’t you 20% me” në mesazhin shoqërues të videos.