Një stacion treni që u përdor dikur për të deportuar popullsinë hebraike të Berlinit në Luftën e Dytë Botërore, tani mund të kthehet në një muze që hedh dritë pikërisht mbi përvojat e tmerrit dhe eksperiencën e hebrenjve që u detyruan të largoheshin nga Gjermania.
Rrënojat e stacionit të trenit Anhalter fshehin një të kaluar të pakëndshme për popullsinë hebraike në Gjermaninë e Luftës së Dytë Botërore.
Stacioni Anhalter, i ndërtuar në vitet 1830, dikur ishte një prej stacioneve më të mëdha hekurudhore që lidhte qytetet gjermane me kryeqytetet evropiane, por Lufta e Dytë Botërore e ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme këtë stacion treni.
Duke filluar nga viti 1941, stacioni u bë pika kryesore nga ku deportohej popullsia hebraike, shumë prej të cilëve drejt vdekjes së sigurt, nëpër kampet e përqendrimit. Stacioni u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa e vetmja gjë që ka mbetur, është fasada e ndërtesës.
Por, tani ka një projekt, që mbi rrënojat e stacionit të vjetër të ndërtohet një muze me temën e të mërguarve politikë dhe refugjatëve.
Herta Mueller, fituese e Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2009, një figurë e shquar po i mbështet fuqishëm ideatorët e muzeut. Mueller ka lindur në Rumani, pjesë e një pakice gjermanishtfolëse në atë vend. Ajo u arratis nga diktatura komuniste rumune në vitin 1987 dhe u vendos në Berlinin Perëndimor.
Dëbimi i hebrenjve ishte një censurë e pabesueshme, e organizuar nga nazistët në Berlin. Fondacioni “Muzeu i të Dëbuarve” është duke zhvilluar bisedime me qeverinë lokale në Berlin, me synimin për të filluar së shpejti ndërtimin e muzeut, që mendohet t’i hapë dyert për publikun në vitin 2025.