Ministri rus i Energjisë Alexander Novak tha se Moska do të mbështesë Iranin për të kundërshtuar sanksionet amerikane të naftës.
Uashingtoni të premten ka rivendosur sanksionet mbi Teheranin, që ishin hequr pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Masat do të hyjnë në fuqi të hënën.
Në një intervistë me gazetën British Financial Times, Novak tha se Rusia po kërkon të vazhdojë tregtimin e naftës së papërpunuar iraniane. “Ne besojmë se duhet të kërkojmë mekanizma që do të na lejojnë të vazhdojmë bashkëpunimin me partnerët tanë, me Iranin”, tha Novak.
Ministria e energjisë tha për FT se tregtia do të vazhdojë javën e ardhshme, ndërsa Novak tha se Moska i konsideronte sanksionet e SHBA “të paligjshme”.
Sanksionet që prekin sektorët e transportit, sektorin financiar dhe energjetik të Iranit, janë grupi i dytë që do të rivendosen nga administrata Trump pasi u tërhoq në mënyrë të papritur nga marrëveshja bërthamore në maj.
Ndërkohë që Trump e ka larguar SHBA-në nga marrëveshja, vendet e tjera kanë premtuar të se do të përpiqen që ta mbrojnë marrëveshjen.
Britania, Gjermania, Franca dhe BE kanë njoftuar planet për të krijuar një mjet financiar të posaçëm që do të lejonte që tregtia midis Evropës dhe Iranit të vazhdonte, megjithëse nuk mund të jetë gati deri të hënën.
Evropianët thanë të premten se ndjenin keqardhje për rivendosjen e sanksioneve por u shprehën “Zgjidhja jonë kolektive për të përfunduar këtë punë është e palëkundur,” në një deklaratë të përbashkët.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se sanksionet “synojnë të ndryshojnë rrënjësisht sjelljen e Republikës Islamike të Iranit”. Ai publikoi një listë me 12 kërkesa që Irani duhet të plotësojë nëse dëshiron heqjen e sanksioneve.
Ato përfshijnë dhënien fund të mbështetjes për terrorizmin, dhënien fund të angazhimit ushtarak në Siri si dhe ndalimin e plotë të prodhimit të raketave bërthamore dhe balistike.