Menu

Nga Mentor Nazarko

Shqiponja është e fortë, kur është e mençur

30.11.2018 - 00:00

Dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës zhvilluan takimin e tyre të rradhës në Pejë, takim i cili u karakterizua përpos dimensionit protokollar edhe me nënshkrimin e 7 marrëveshjeve nga 9 që ishin parashikuar.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Ndër marrëveshjet e nënshkruara ishte ajo e heqjes së pengesave doganore, tarifore apo jotarifore, krijimin e një mekanizmi për financimet publike, si dhe ajo e heqjes së romingut mes dy vendeve- pas 6 muajve.

Pati edhe një përmasë të fuqishëm vizuale, spektakolare, e cila siç mund të imagjinohet u dominua nga kryeministri Rama: firmosje të një flamuri në të dy krahët e shqiponjës, vizitë kolektive të dy qeverive në vende simbol siç ishte Memoriali dhe varrezat e familjes Jashari.

Ishin shfaqje të cilat në vitin e lindjes së Skënderbeut, në një kontekst të caktuar rajonal apo panshqiptar, marrin një rëndësi të veçantë.

Mentor Nazarko
Mentor Nazarko

Pse përmasa spektakolare ishte e dobishme?

Një pjesë e përmasës spektakolare të këtij takimi, në kushte të tjera mund të dukeshin të tepruara, por në kontekstin panshqiptar, ato mesazhe patën një rëndësi të jashtëzakonshme.

Në një emision shumë të shikuar në Kosovë, kolegu Adri Nurellari përmendi një të dhënë shumë interesante.

Nëqoftëse para disa vitesh dëshira për bashkim ishte më dominante në Kosovë, tashmë raporti ishte përmbysur. Ishte 81% dëshira e shqiptarëve të Shqipërisë për bashkim dhe diku te 60% dëshira e shqiptarëve të Kosovës.

Me mirëkuptimin që ky sondazh ishte i besueshëm pasi edhe autori i sondazhit ishte i tillë, në një kontekst si ky, kur vihet re zbehja e dëshirës për bashkim tek shqiptarët e Kosovës, ndodhi kjo shfaqje midis dy kryeministrave, dy qeverive, me ato përmasa goditëse e prekëse për masat e gjera të popullsisë, sidomos për brezin e ri të shqiptarëve, i cili ka nevojë për injeksion kombëtarizmi.

Arsyeja e parë: ka ideologë apo njerëz me ndikim publik të Kosovës -të cilët e kanë vuajtur me të drejtë ose pa të drejtë një lloj dominance, mëndjemadhësie, arrogance të intelektualëve të caktuar, apo të disa udhëheqësve të caktuar politikë si dhe ndjenjën e paternalizmit të Shqipërisë apo të individit ardhur nga Shqipëria, me gjasë edhe për shkak të politikave të gabuara të Shqipërisë apo edhe për shkak se shqiptarët e Shqipërisë nuk u dukën më aq interesantë saç mund të dukeshin kur ekzistonte kufiri me Jugosllavinë,- që me kriticizmin e tyre, kërkojnë të bëjnë këtë distancim.

Pra është një distancim që vjen nga lart. Një pjesë e këtij distancimi është natyral.

Ama ai distancimi që vjen nga lart, që (spin doktorohet) nëpërmjet disa lloj ideologëve që e vuajnë madje në planin personal faktin që në një hapësirë të përbashkët kombëtare nuk do të jenë më të parët e ‘fshatit’, por mund të jenë të mesmit e qytetit,nuk është natyral.

Disa prej tyre vuajnë faktin që nuk përfshihen në tryezat e debatit të Shqipërisë, apo që Edi Rama ka filluar të mos i kursejë më as gazetarët e Kosovës, pra janë të prekur personalisht nga Edi Rama, nga stigmatizimet me atë koloritin origjinal që vjen prej tij.

Ky lloj distancimi nuk është i shëndetshëm.

Distancimi vjen nga lart prej një pjese të elitës politike të Kosovës, sepse me gjasë kjo elitë e vuan prirjen paternaliste të Shqipërisë apo të politikanëve të caktuar shqiptarë. Në këtë kuptim kësaj elite i pëlqen më mirë të udhëheqin në mënyrë të pavarur atë hise të territorit të banuar nga shqiptarë, sesa të durojnë tangërllikun e vëllezërve.

Ky distancim i kësaj elite duket edhe në bezdinë e të përdorurit të shqipes standarde në komunikimin publik, në komunikimin zyrtar, në komunikimin mediatik dhe atë verbal.

Ky distancim publik duket edhe me krahasimet e stigmatizimet si ‘ne të Kosovës ’ dhe ‘ju të Shqipërisë’, apo shprehjet klishe “ne kemi luftuar për ju, por ju skeni luftuar për ne”, apo “se ju jeni afruar me serbët”, etj etj, krahasime që janë në fakt ngatërrime të pjesës me të tërën.

marreveshja per mjeket ne peje
marreveshja per mjeket ne peje

Në jo pak raste kemi të bëjmë me ngatërrimin e individit përfaqësues me shtetin.

Të gjithë këto akte, apo shfaqje, rezonojnë në një klimë suksesi të përfaqësueses së Kosovës në futboll, që ne mund ta quajmë si një pjesë të kombëtares shqiptare, por nuk mund ta quajmë kombëtare të Kosovës, ndërsa ajo e Shqipërisë po vuan dështimet.

Të gjithë këto elementë që vijnë nga lart, shtuar edhe suksesin sportiv, i cili nxit një lloj rivaliteti midis tifozerive të ngjashme me rivalitetin midis tifozerive të Lazios me Romën apo Interit me Milanin apo Arsenalit me Celsin, krijojnë një prirje distancuese të dy pjesëve të kombit që vjen nga lart, nga elita politike dhe nga elita mediatike.

Kjo është një prirje e frikshme dhe e rrezikshme.

Në një situatë si kjo, shfaqja me flamurin, me shtrëngimin e duarve, me shqiponjën, me vizitimin e memorialit të varrezave të familjes Jashari në Prekaz, të cilat janë toteme të shqiptarëve në kohët e sotme, me përkujtimin e Skënderbeut apo me inagurimin e monumenteve në Prizren ishin të domosdoshme.

Në këtë kuptim ky spektakël apo show, mbetet për tu vlerësuar.

Ky spektakël pati edhe një dimension tjetër provokues medial, propagandistik ndaj Serbisë. Duke patur parasysh të gjithë atë luftë të ashpër mediatike, sportive të Serbisë që u bë për shfaqjen e simbolit të shqiponjës nga ana e dy futbollistëve të kombëtares zviceriane, me origjinë shqiptare, e cila u konsiderua si diçka fyese për ta, shqiponjëzimi ishte shpues.

Shfaqja kolektive e dy qeverive duke bërë shqiponjën, simbolikë domethënëse për shqiptarët, shenjë identifikuese edhe nga ushtarë, këngëtarë, apo artistë të shumtë të njohur botërorë, reflektonte sa brenda botës shqiptare, aq dhe tek fqinjët.

Të dy qeveritë shqiptare e bënë këtë gjest me gjasë edhe për t’i çuar një mesazh provokativ Serbisë.

Në kushte normale, Shqipëria nuk duhet t’i tregojë botës se e konsideron qeverinë e Kosovës si qeveri të shqiptarëve, por kushtet nuk janë normale.

takimi peje-konica.al

Përmasa reale-shqiptarët bashkë në planin politik dhe ndërkombëtar

Përtej këtij dimensioni spektakolar, ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm që vihet re në takimin midis dy qeverive. Shqipëria me gjithë Kosovën u bënë bashkë në momentin kur Kosova adoptoi një masë të fuqishme penalizuese kundrejt Serbisë- tarifën 100%.

Është një masë e cila tregon shpërthimin dinjitoz së kësaj qeverie, të një shteti i lodhur nga luftrat e pafundme në arenën ndërkombëtare, ku Serbia çdo konçesion që bën e marketizon dhe e shndrron në mall me çmim.

Kosova ndërmori kësisoj një vendim të fortë, i cili e futi në krizë Serbinë : vetë presidenti serb Vuçiç, e konsideroi si veprim që e destabilizon vendin e tij, dhe bash tani Shqipëria e mbështeti Kosovën.

Përveç Shqipërisë asnjë shtet tjetër në rruzullin tokësor nuk do ta kishte mbajtur këtë qëndrim.

Ky është fakt, është zyrtare, është publike dhe spektakolare! Ndaj të ngatërrosh një shfaqje personale mendimi të parë nga ministri i financave Ahmetaj i cili foli në tërësi dhe në plan teorik për masat me karakter diskriminues, me atë që ishte qëndrimi zyrtar i qeverisë së Shqipërisë në mbështetje të Kosovës, është miopi e qëllimshme.

Ajo çfarë ka rëndësi nuk është individualja, por që dy qeveritë shprehen unanimisht përballë Serbisë, përballë bashkësisë ndërkombëtare, vendosmërinë për t’iu përmbajtur, për të respektuar një vendim të qeverisë së Kosovës.

Kjo shfaqje e dy pjesëve të kombit, e dy qeverive tona, është një fuqizim i peshës shqiptare në rajon dhe në Evropë.

Kjo është kundërvënie ndaj Serbisë e cila për shkak të mbështetjes ndërkombëtare të fuqishme, duke u shndrruar në një qendër thithëse e rëndësishme e investimeve turke, kineze dhe ato ruse në Ballkan, apo për shkak të kapërcimit të kompleksit që ka patur si vendi që organizoi të gjithë luftrat e përgjakshme të fundshekullit të XX-të në shpërbërjen e ish Federatës Jugosllave, po duket sikur po forcohet.

Mesazhi i unitetit shqiptar duket diçka që me siguri Serbia nuk e ka kapërdirë dot.

Por kjo mbledhje me mesazhet e forta të Ramës për bashkimin e shqiptarëve deri në 2025 (lojë fjalësh me vitin që konsiderohet si vit i anëtarësimit të Shqipërisë në BE) ndodhi në një moment që edhe Bashkimi Evropian është i dobësuar.

Është 6 mujori i fundit para se të shkohet në zgjedhjet e institucioneve evropiane, e në këtë mënyrë presioni eventual i institucioneve evropiane nuk mund të ushtrojë fuqinë e vet në mënyrë që të pengojë Kosovën apo Shqipërinë që të marrin vendime apo të adoptojnë shfaqje të tilla.

E vërteta është që Shqipëria me Kosovën vetëm bashkë mund të arrijnë të tregojnë fuqinë e të arrijnë objektiva të rëndësishëm rajonalë dhe më gjerë.

Kështu që me mbledhjen e dy qeverive, do duhet shpresuar që do të kapërcehet situata e vështirë e secilit prej të dy vendeve qoftë në planin ekonomik, politik apo në planin ndërkombëtar, duke shkuar kah bashkimi ekonomik. Shqiptarët janë të fuqishëm nëqoftëse veprojnë në mënyrë të sinkronizuar bashkë.

Edhe Shqipëria e rrit fuqinë e saj nëpërmjet përmëndjes së statusit të Kosovës dhe e anasjellta, Kosova nëpërmjet Shqipërisë ndihet më e fuqishme.

takimi peje-konica.al
takimi peje-konica.al

Po cila është situata reale ekonomike në seicilin prej vendeve dhe midis tyre?

Shqipëria është e ndikuar më së shumti nga kompani të vendeve fqinje si Greqia, Italia, gjithashtu po rritet edhe ndikimi i kompanive serbe si dhe Kosova është e ndikuar fuqishëm nga kompanitë serbe.

Dy vendet tona pra nuk po arrijnë që mbledhjet midis dy qeverive t’i shndërrojnë në mbledhje përmbajtësore që fillojnë nga fuqizimi i subjekteve ekonomike të Shqipërisë dhe Kosovës në bujqësi, në turizëm, në informatikë apo në sektorë të tjerë.

Deri tani dy qeveritë nuk po arrijnë të heqin romingun midis dy vendeve, nuk po arrijnë as që të krijojnë një hapësirë pa pengesa në pikat kufitare.

Të dominuara nga interesa të ngushta lokale, rajonale, feudale, të kompanive të caktuara, ato nuk po i kapërcejnë dot këto interesa.

Ndaj duhet shpresuar që gjithçka ndodhi në Pejë, të shërbejë si reflektim që shqiptarët si shtete ta fuqizojnë subjektivitetin e tyre ekonomik kombëtar.

Mirëpo që ta bëjnë këtë do duhet që të ekzistojë një mekanizëm i cili duhet ta studiojë problematikën e përbashkët, ta analizojë atë, të bëjë parashikimet dhe të formulojë strategji, plane, vizion.

Është e ditur që burokracia e administratave zyrtare të secilit prej dy vendeve, nuk ka as kapacitetet teorike, as kohën dhe as motivimin financiar që ta bëjnë këtë gjë. Një analizë të tillë mund ta bëjnë vetëm ekspertët që vijnë nga shqiptarët e diasporës që janë pjesë e universiteteve më të mira në botë, e që mund të ftohen nëpërmjet këtij mekanizmi për tu bërë pjesë e këtij vizioni të përbashkët kombëtar.

Kësisoj, plaga e tmerrshme e ikjes së trurit, do shndërrohej në avantazh : sot idetë, lëvizin në rrjet dhe nuk ka nevojë për prani fizike për formulimin a jetësimin e tyre.

Kjo do duhej të ishte harta e rrugës që do të projektonte zhvillimin e përbashkët të Shqipërisë me Kosovën.

Siç e quante edhe një nga politikanët që foli në mbledhjen e dy qeverive në Pejë, kjo hartë do duhej të ishte softwer-i, programi, truri që do projektojë zhvillimin kombëtar, sepse qeveritë e të dyja vendeve nuk i kanë këto kapacitete.

Le të shpresojmë që takimi i Pejës i mbajtur pikërisht në një kontekst të tillë, përveçse të tregojë fuqinë e shqiptarëve, do duhet të tregojë edhe mençurinë e tyre përballë zhvillimeve dhe sfidave të mëvonshme.

Shqiponja është e fortë nëse është e mençur !