MENU
klinika

E gjashta bankë që shitet  

Union Bank blen Bankën Malajziane

22.11.2018 - 13:51

Numri i bankave në Shqipëri do të ulet akoma më tej. Union Bank ka arritur një marrëveshje për blerjen e aksioneve të Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB Bank), apo siç njihet ndryshe banka malajziane. Bashkimi mes dy bankave do ta ulë në 13 numrin e bankave aktive në tregun shqiptar, nga 14 që janë aktualisht. Kjo është shitblerja e gjashtë e bankave që realizohet në tregun shqiptarë në katër vitet e fundit.

Union Bank është aktualisht banka e tetë më e madhe në Shqipëri, me 3.4% të aktiveve të sistemit bankar. Ndërsa ICB Bank ka përmasa mjaft modeste, me vetëm 0.7% të aktiveve. Pas bashkimit, Union Bank do të arrijë një pjesë tregu në rreth 4.1%, pa arritur të ngjisë më tej vende në renditjen e bankave për nga madhësia. Më herët, Union Bank kishte tentuar pa sukses të blinte edhe Credit Agricole dhe Tirana Bank.

Cikli nisi me blerjen e ish-Bankës Credit Agricole nga institucioni financiar Tranzit. Banka e re, që u quajt Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), vitin e kaluar u zgjerua më tej duke blerë edhe NBG Bank, filiali shqiptar i Bankës Kombëtare të Greqisë.

Po vitin e kaluar, grupi Italian Intesa Sanpaolo bleu grupin tjetër italian Veneto Banka, duke përfshirë edhe bankën shqiptare. Shkrirjet ABI-NBG Bank dhe Intesa-Veneto u bënë efektive në tetor të këitj viti, duke e ulur zyrtarisht numrin e bankave në 14.

Në gushtin e këitj viti, edhe Tirana Bank nënshkroi marrëveshjen e shitjes së aksioneve te konsorciumi Balfin-Komercijalna Banka. Pothuajse në të njëjtën periudhë, Societe Generale njoftoi shitjen e kuotave të bankës shqiptare te grupi hungarez OTP.

Megjithatë, këto marrëveshje, ashti si blerja e ICB Bank nga Union Bank, do të jenë subjekt i miratimeve rregullatore nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurrencës.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tani janë zyrtarisht 15

Numri i bankave ulet pas 13 vjetësh