Zhbllokohet shitja e Societe Generale Albania te grupi hungarez OTP. Aksionerët e pakicës janë tërhequr nga e drejta e parablerjes dhe kanë vendosur të shesin kuotat e tyre tek blerësi i ri, për rreth 11.5 milionë euro.
Në fillim të muajit gusht, grupi Societe Generale njoftoi arritjen e marrëveshjes me grupin hungarez OTP për shitjen e filialeve të saj në Bullgari dhe Shqipëri. Vlera e operacionit nuk u bë publike zyrtarisht, por sipas burimeve nga tregu 88.89% të aksioneve të bankës shqiptare u shitën për 32 milionë euro.
Ky çmim ishte i ulët, po të kemi parasysh pjesën e tregut të bankës dhe gjendjen relativisht të mirë të bilancit, krahasuar me bankat e tjera në shitje gjatë viteve të fundit. Çmimi i ulët ndoshta lidhet me faktin që OTP pritet të blejë në paketë të gjitha bankat e tjera rajonale që zotërohen nga grupi francez, përfshi ato në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Moldavi.
Por, shitja e Societe Generale Albania u bllokua përkohësisht, sepse aksionerët e pakicës pretendonin të drejtën e parablerjes se aksioneve. Megjithatë, besohet se kjo ishte një manovër për të bindur hungarezët të blinin edhe aksionet e tyre me një çmim të favorshëm.
Vasil Naçi dhe ortakët e tjerë ia arritën qëllimit. Çmimi i shitjes është mjaft i lartë, po të kemi parasysh se 11% të aksioneve u shitën për 11.5 milionë euro, ndërsa, Societe Generale shiti afro 89% të aksioneve për 32 milionë euro.
Në mesin e këtij viti, Societe Generale Albania raportonte 85 miliardë lekë aktive, ose afërsisht 6% të tregut bankar shqiptar.