Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama dhe kreun e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj se kanë manipuluar planin urbanistik të kryeqytetit në Astir, në zonën e Unazës së Re.
Ai ka qenë pasditen e sotme me banorët e Unazës së Re që kanë protestuar sërish kundër prishjes së banesave ku ka folur edhe për një aferë tjetër sipas tij të rëndë për të cilën tha se do ketë fakte zyrtare brenda dy ditëve.
Basha konfirmoi mbështetjen edhe për protestën e studentëve.
“Protesta që i ka vënë vulën gjendjes së emergjencës kombëtare është protesta e studentëve shqiptarë. Kryengritja e dytë studentore shqiptare e dhjetorit 2018 është shprehja më e çiltër dhe më e drejtpërdrejt e revoltës që qytetarët kanë. Rinia shqiptare u ngrit dhe me kurajën e saj po vret frikën nga dita në ditë”, tha Basha.
Kreu i PD theksoi se ‘rinia shqiptare njësoj si banorët e Unazës së Re, banorët e Bulevardit të Ri, banorët e Shkozës, sipërmarrja kanë prishur rehatinë e hajdutëve kanë destabilizuar mendërisht e Edi Ramës, i cili siç e shikoni bën lloj-lloj karagjozllëqesh nga mëngjesi deri në darkë por nuk iu jep përgjigje pyetjeve të thjeshta’.
“Cila është përgjegjësia e Edi Ramës për 4 institucione direkt në varësinë e tij të përfshira në vjedhje këtu? Sa para përfiton Edi Rama nga kontot sekrete të DH-së dhe falsifikimit të letrave të kësaj kompanie në shtetin e Delaëare në SHBA? Pse nuk i plotëson menjëherë 8 kushtet e studentëve?
Natyrisht ne e dimë mirë se pse? Sepse paratë që duhet të shkonin për universitete, duhet të shkonin për konvikte, duhet të shkonin për cilësinë e mësimdhënies, Edi Rama i ka bërë rrush e kumbulla. Një pjesë i ka bërë fasada, i ka bërë zyra luksoze në Kryeministri, tek ministria e Lindita Nikollës, tek ministritë e tjera dhe një pjesë i ka vjedhur”, tha Basha.
Prandaj sipas kreut të PD është e kuptueshme që studentët nuk i zënë besë.
“Si mund t’i zësh besë dikujt që është kapur në vjedhje, është kapur në hajdutëri dhe ka zgjedhur si përgjigje vetëm mashtrimin.
Dua ta bëj të qartë sot se prej ditës së parë dhe sot ne kemi mbështetur dhe mbështesim fuqimisht protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre të drejta, 8 pikat e tyre, sikundër dua të përsëris sot ftesën ndaj prindërve të studentëve, ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj demokratëve, ndaj socialistëve, ndaj të gjithë anëtarëve të partive politike por jo organizatave kriminale si ajo e rilindjes t’i bashkohen bijve dhe bijave të tyre. Kjo është një protestë e drejtë.
Edi Rama nuk ka asnjë lloj besueshmërie më, të ulet dhe të negociojë me ta. Një vit më parë Edi Rama ia hodhi popullit dhe faktorit ndërkombëtar kur bëri marrëveshje për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe më pas i dhunoi ato. Një vit më vonë e ka kuptuar shumë qartë bota dhe Shqipëria se problemi është Edi Rama, ndaj nuk ka më besim tek ai.
Ai duhet të plotësojë kërkesat e studentëve, ne i mbështesim këto kërkesa dhe ne i bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës së tyre. Protestat janë ngritur në të gjithë Shqipërinë, këto nuk mund të ndalen më. Kjo nuk është një gjendje që mund të menaxhohet përmes propagandës dhe mashtrimeve të tij”, deklaroi kreu i PD.
Ndërkaq ai tha se në zonën e Unazës së Re do të ndërtoheshin pallate shumëkatëshe në vend të gërmadhave të shtëpive të prishura.
“Dhe së treti, këtu tek Unaza e Re është konsumuar një krim i tretë që përfshin drejtpërdrejt Erion Veliajn dhe Edi Ramën. Është manipuluar plani urbanistik i Tiranës për t’i hapur rrugë një skeme kriminale, e cila mbi gërmadhat, mbi shtëpitë që donin të prishnin këtu do ndërtonin pallate shumëkatëshe me paratë e krimit të organizuar, me paratë e njerëzve që kanë bërë drogën dhe krimin e organizuar në Shqipëri”.
“Siç ju kam paralajmëruar para disa ditësh ne po mbledhim të dhëna zyrtare për këtë aferë të dytë kriminale, që për nga të dhënat financiare i kalon 40 mln euro. Plani është të vidhet dyfish.
Rama dhe Veliaj kanë ndryshuar planin urbanistik të qytetit që eksponentë të krimit të pastrojnë paratë e krimit dhe t’i ndajnë me Edi Ramën dhe shpurën e korruptuar.
Brenda dy ditëve të ardhshme do të keni në dispozicion dokumentet zyrtare që konfirmojnë këtë”, theksoi kreu i opozitës.