MENU
klinika

Histori njerëzore

Komunizmi i privoi ëndrrën/ Ajo rikthehet në Muzeun Kombëtar

28.12.2018 - 16:03

Bëhet fjalë për piktoren Anila Kati, mbesën e ish-zëvendësministrit të Tregtisë Vasil Kati, e cila rrëfen për mediat peripecitë e regjimit pas tre dekadash në emigrim.

Sapo kishte mbaruar liceun artistik, ishte vetëm 18 vjeç kur regjimi komunist i hoqi të drejtën e studimit për në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Një dhimbje e fortë asokohe. Por, nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër.

Shkaku ishte jo se ajo kishte bërë ndonjë gjë personale, se një nxënëse që mbaron liecun s’mund të ketë asnjë përgjegjësi politike, por ajo mbajti përgjegjësitë e xhaxhait të saj Vasil Kati.

Anila kur ka punuar edhe me klasën punëtore mbante gjithmonë një bllok me vete, mirëpo duke kaluar vitet ajo s’po bënte atë që ishte pasioni i saj. Artistja rikthehet në Muzeun Historik me një ekspozitë retrospektiv me rreth 100 tablo.

Ekspozita është e ndarë në disa cikle, që nga grafikat e liceut, ikona e frymëzuara nga puna si restauratore, deri tek teknika në 3D. Vepra këto të realizuara vetëm pas emigrimit për në Firence.

Në Firence ajo shkoi në vitin 1991, një vit pas të vëllait. “Nuk është kollaj që të lësh vendin tënd, por nuk kisha më prindërit edhe nuk kisha më lidhje të afërta, familjen, veçse kushërinjve”, shprehet ajo për mediat.

Përpara se të kthehej punoi tre-katër vite me restaurimin edhe u afrua me mjeshtrit e artit të rilindjes, duke hyrë në të gjithë shtresat pikturike, për të bërë ndërhyrjen. Pas kësaj eksperience vendosi që të bëj Anilën.

“Është një rrugëtim për t’u zbuluar çfarë ishte brenda meje, thotë ajo. Artin tim përherë e kam lidhur me një lloj mizticizmi, të lidhur edhe me natyrën”.

Udhëtimet në jetën e saj, në Itali e në Londër janë një vlerë e shtuar në punën e saj si artiste, por një pjesë e saj mbetet përherë në Shqipëri.

“Mua më mban të lidhur me Shqipërinë dashuria për mamanë time, ajo nuk ekziston më fizikisht, por është shpirti i saj, që unë e gjej vetëm këtu, në asnjë vend tjetër. Unë edhe kur iki, një pjesë imja vazhdon që të jetë këtu”. –thotë Kati.