Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar shitjen e bankës Societe Generale Albania dhe grupi hungarez OTP. Në muajin Gusht të këtij viti, grupi francez pati njoftuar arritjen e marrëveshjes për shitjen e 88.89% të aksioneve, për një shifër prej rreth 32.5 milionë eurosh.
Shitja e filialit shqiptar është pjesë e negociatave më të gjera, ku OTP do të blerë të gjitha bankat e grupit Societe Generale në Ballkan. Për shkak të forcimit të kërkesave rregullatore në Bashkimin Europian, Societe Generale është mes grupeve bankare që kanë vendosur të largohen nga tregjet e Europës Lindore dhe Qendrore.
Shitja e degës shqiptare u vonua për shkak të bllokimit nga aksionerët e vegjël të bankës, që pretendonin të drejtën e parablerjes. Por, kjo reuzltoi një manovër për të detyruar grupin francez të blinte edhe pjesën e tyre të aksioneve.
Në fillim të nëntorit, Societe Generale vendosi të blinte pjesën e aksionerëve të vegjël shqiptarë për 11.5 milionë euro.
Performanca e Societe Generale Albania në vitet e fundit ka qenë mjaft e mirë, me rritje të pjesës së tregut dhe rezultate financiare fitimprurëse. Societe Generale Albania zotëron rreth 85 miliardë lekë aktive, ose afërsisht 5.7% të tregut bankar shqiptar.