MENU
klinika

NBA

Mavericks mposht Portland, Spurs në krizë

05.12.2018 - 11:45

NBA ka dhuruar të tjera sfida spektakolare ditën e sotme. Dallas Mavericks i është falur edhe njëherë tjetër sllovenit Luka Doncic, që mori për dore skuadrën e tij në fitoren 111-102 ndaj Portland Trail Blazers.

Kandidati kryesor për çmimin e debutuesit më të mirë në NBA realizoi 14 nga 21 pikë në total në pjesën e dytë, duke shtuar edhe 9 topa të kontrolluar poshtë koshit.

Gjuajtja e tij e saktë për tre, kur kishte mbetur më pak se një minutë nga përfundimi, shoi shpresat e Blazers për të pëmbysur diferencën prej 6 pikësh. Për Portland, kjo ishte humbja e tretë radhazi, edhe pse Damian Lillard e bëri të tijën duke shënuar 33 pikë, 25 vetën në pjesën e dytë.

As ndërrimi i trajnerit nuk e ndryshoi ecurinë e Chicago Bulls, që u mposht 96-90 nga Indiana Pacers. Phoenix Suns u mposhtën nga Sacramento Kings 105-122, në një sfidë që nisi shumë keq për skuadrën nga Arizona, me periodën e parë që u mbyll me një diferencë të frikshme 9-36 në favor të miqve.

Disfatë e rëndë e San Antonio Spurs në parketin e Utah Jazz 139-105. Plot 7 basketbollistë të Jazz realizuan më shumë se 10 pikë secili, ndër të cilët spikati Mithchell me 20 pikë, i ndjekur nga Gobert me 18 pikë. Për teksanët nuk mundi të bënte më shumë Poeltl, që e mbylli takimi me 20 pikë.