MENU
klinika

Rekordi

Messi, 5 herë fitues i “Këpucës së Artë”

18.12.2018 - 15:48

Lionel Messi fiton për të pestën herë çmimin “Këpuca e Artë”, si golashënuesi më i mirë në të gjitha ligat evropiane sezonin e kaluar dhe duke vendosur një rekord absolut deri tani.

Superylli argjentinas tani e kalon Cristiano Ronaldon, që i ka katër, në listën e futbollistëve me më së shumti çmime të “Këpucës së Artë”. Messi i shënoi 34 gola në ligën elitare spanjolle, La Liga, sezonin e kaluar duke i ndihmuar Barcelonës ta fitojë titullin, po ashtu.

Sulmuesi i Liverpool, Mohamed Salah ishte i dyti me 32 golat e tij në Premier League. Messi e ka fituar këtë trofe në sezonet 2009-10 (34 gola), 2011-12 (50 gola), 2012-13 (46 gola), 2016-17 (37) dhe tani 2017-18 (34 gola).

31-vjeçari është golashënuesi më i mirë në histori të Barçës, me 572 gola në 655 ndeshje. “Këpuca e Artë” ndahet nga European Sports Media, një shoqatë e gazetave dhe revistave evropiane të sportit.

Ylli argjentinas e mori çmimin nga duart e drejtorit të “MARCA”, Juan Ignacio Gallardo. Vetë Messi ishte shumë i përulur në fjalët e thëna, pas marrjes së trofeut: “Nuk e prisja gjithë këtë. Kur fillova të luaj, ëndrra ime ishte të bëhesha profesionist në futboll.

Më pëlqen puna, përpjekja dhe, mbi të gjitha, shokët e skuadrës. Jam në skuadrën më të mirë në botë, kam lojtarët më të mirë në botë te Barcelona dhe kjo e bën gjithçka më të lehtë, që unë t’i fitoj këto çmime”.

Leo i dërgoi një mesazh të matur edhe kundërshtarit të radhës në Champions, teksa shorti e ka vënë përballë francezëve të Lyon: “Në emër, Lyon nuk ishte një nga më të fortët në short, por do të jetë e komplikuar përballja me të. Ka kohë deri në shkurt, shumë gjëra mund të ndodhin. Nuk e dimë se si kundërshtari do të jetë në atë periudhë, as se si do të jemi ne. Parashikoj një ndeshje të vështirë”.