MENU
klinika

NBA

Raptors bien pas 2 fitoreve, ngjiten Warriors

15.12.2018 - 12:13

Pikërisht kur dukej se Toronto Raptors ishte një skuadër gati e pathyeshme, një super Portland e mundi 128-122, në një sfidë ku Trail Blazers zhvilluan një lojë të shkëlqyer ekipi, ku 8 lojtarë shënuan mbi 10 pikë, me kapitenin Damian Lillard që udhëhoqi skuadrën me 24 pikë.

Raptors dukej se nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, pasi mbrojtja nuk po funksiononte siç duhej. Më i miri te kanadezët ishte Kawhi Leonard me 28 pikë dhe 6 topa në tabelë.

Fitore edhe për Golden State Warriors, me rezultatin 130-125 në transfertë ndaj Sacramento Kings, ku kampionët përmbysën gjithçka në tre minutat e fundit. Steph Curry, Klay Thompson dhe Kevin Durant shënuan së bashku plot 95 pikë, ndërkohë që Kings e patën të pamundur të ruanin deri në fund avantazhin e krijuar.

Një tjetër sfidë e rëndësishme, ishte ajo midis 2 prej skuadrave më të mira deri më tani në konferencën e Perëndimit, Oklahoma City Thunder dhe Denver Nuggets. Takimi përfundoi 109-98 në favor të Nuggets, ku Nikola Jokic shkëlqeu me 24 pikë, 15 rebound dhe 9 asiste.

Disfatë për Philadelphia 76ers kundër Indiana Pacers, me rezultatin 101-113. Thaddeus Young me 26 pikë dhe 10 rebound, si dhe Domantas Sabonis me 14 pikë e 16 topa në tabelë, ishin udhëheqësit e Pacers në këtë sukses mjaft të rëndësishëm.