Ai ka qenë drejtuesi nga bokset i Michael Schumacher, por miqësia mes tyre i kaloi caqet e thjesht një bashkëpunimi reciprok. Sot Jean Todt është president i FIA-s (Federatës së Automobilizmit Ndërkombëtar), por mbetet pa dyshim një nga njerëzit që ka bashkëpunuar më gjatë me 7 herë kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher.
Së bashku, ata shkruan një epokë të lavdishme dhe të rëndësishme të këtij sporti dhe të Ferrarit, pasi fituan 5 tituj kampionë radhazi. Todt ka mbetur një mik i ngushtë si i pilotit ashtu dhe familjes së tij, duke qenë pranë edhe në këto momente të vështira që po kalon Michael Schumacher, ende në fazë rehabilitimi, 5 vjet nga aksidenti me ski.
Sa herë që bie fjala për Michael, Jean Todt mallëngjehet, ndërkohë që në një intervistë për mediat, ai ka rrëfyer se e kujton përditë pilotin gjerman.
“Ne e deshëm njëri-tjetrin, pasi së bashku shkruam një histori të jashtëzakonshme suksesi. Dhe, mbi të gjitha, pasi gjithnjë arritëm t’i kalojmë së bashku edhe momentet më të vështira”, – tha Jean Todt.
“Unë e kam fotografinë e tij kudo, në çdo faqe të murit në zyrën time apo në apartamentim tim. Koha që kam kaluar me Michael do të mbetet gjithnjë si koha më e bukur në jetën time”, u shpreh më tej Jean Todt, që shkon herë pas herë në shtëpinë e Michael Schumacher për ta vizituar dhe mësuar rreth gjendjes së pilotit gjerman.