Me ndeshjet e fundit në grupe të Europa League, ku erdhi edhe surpriza më e madhe, teksa Milan u eliminua, UEFA po programon shortin që do të ravijëzojë edhe më tepër betejën për dy trofetë e futbollit kontinentalë, tashmë në përplasje të drejtpërdrejta.
Në orën 12:00 të së hënës, pretendentët për fronin e Champions League do të mësojnë rivalët e tyre, edhe pse në fushë do të zbresin vitin që vjen. Ndeshjet e para do të luhen më 12 dhe 13 shkurt, si dhe më 19 dhe 20 shkurt, ndërsa ato të kthimit do të luhen në muajin mars.
Rregullat për vazot në Nyon janë të qarta dhe me dy grupime, ato që dolën të parat dhe ato të kualifikuara pas tyre. Asnjë skuadër nuk do mund të sfidojë një ekip që ka luajtur më parë në grup, apo brenda të njëjtit shtet.
Kështu, Liverpool mund të përplaset me ekipe si Barcelona, Real Madrid, Juventus apo Bayern Munchen. Ndërsa Manchester United mund të ndeshet me Real Madrid, Barcelona apo Bayern.
Një orë pas shortit të Champions, të hënën do të mësojnë kundërshtarët edhe ekipet e mbijetuara në Europa League. 32 skuadrat e kualifikuara, 24 nga grupet e Europa League dhe 8 të tjera që vijnë nga Championsi, si vende të treta, janë ndarë në dy vazo.
Në vazon e parë janë vendosur skuadrat që e mbyllën grupin në vendin e parë dhe ekipet e treta më të mira që vijnë nga Champions. Skuadra të mëdha të vazos së parë, si Chelsea, Arsenal, Inter apo Napoli, shpresojnë të shmangin përplasjet me kundërshtarë të fortë si Lazio, Sporting apo Shakhtar Donetsk. Në bazë të rregullores, në këtë raund nuk mund të ketë përplasje të skuadrave nga i njëjti shtet.