Trajneri i ri Ole Gunnar Solskjaer e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme te Manchester United, teksa “Djajtë e Kuq” kanë fituar bindshëm 5-1 në Cardiff, duke nisur kështu një epokë të re pas largimit të Mourinho-s.
Rashford shënoi që në fillim golin e parë dhe qetësoi miqtë në minutën e tretë. Herrera në minutën e 29-të shënon golin e dytë. Por vendësit hyjnë shpejt në lojë, pasi Camarasa ngushton shifrat në 1-2 me një penallti.
Pa kaluar as 3 minuta lojë, Martial, i lënë në hije nga Mourinho, shënon golin e tretë dhe pjesa e parë mbyllet 1-3 për Manchester United, duke gëzuar tifozët e ardhur.
Për të qetësuar përfundimisht trajnerin dhe tifozët, mendon Lingard në minutën e 57-të, teksa shënon me anë të një 11-metërshi. Më pas ritmi i lojës bie, Solskjaer fut në fushë edhe Fred, që nuk ishte preferuar nga Mourinho. Në fund, ka edhe një gol tjetër nga Lingard, duke e mbyllur 1-5.
Një sukses që e ngjit Manchester United në vendin e gjashtë në renditje, por zona Champions duket shumë larg akoma, pasi janë 9 pikë për të rikuperuar. Gjithsesi, fitorja e sotme jep shpresë për tifozët.