Nga Eugent Kllapi/
Në Montecchio të rajonit të Umbrias së Italisë është çelur ekspozita e piktorit e karikaturistit shqiptar Agim Sulaj. Kjo ekspozitë e piktorit të talentuar Agim Sulaj vjen si një retrospektivë e një satire të viteve 1981-1985. ‘’Servilizmi’’ është tema që ai do të përçojë në mendjen e gjithë njerëzve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 16 janar.
Për këtë ka zgjedhur Italinë, vendin ku ai ka një pjesë të mirë të jetës së tij. Gjysmën tjetër të tij, ka Shqipërinë, aty ku kokolepsen ‘’rrënjët’’ e tij. Ekspozita mendohet të jetë edhe në Tiranë, së shpejti.
Edhe në kohën kur komunizmi marshonte në mendjen e njerëzve për pak ideal kishte karikatura dhe mesazhe sarkastike sa dhe shprehnin talljen në mos sarkazmën e një mendimi të hollë dhe fin siç është ajo e Agim Sulajt. Këtë ai e ka shprehur te revista ‘’Hosteni’’ që në moshën 19 vjeçare.
Në vitin 1979, 1982, 1986 ai ka qenë fitues i çmimeve të ndryshme për satirën e tij në revistën ‘’Hosteni’’.
Me anë të 20 punimeve në karikatura që kanë qenë realizuar në ato vite në revistën ‘’Hosteni’’, revistë që kritikonte sjellje dhe fenomene nëpëmjet artit ai nisi karrierën e tij në imazhologji dhe publicistikë.
Sillet e veçanta e atyre viteve për të krahasuar sesi sjelljet njerëzore dhe veprimet tona shoqërore, po aq sa krijimet e autorit realizohen, përsosen apo rikthehen me problematika po të njëjta.
Gjithmonë Agim Sulaj ka mesazhe të forta, dhe gjithmonë ai luan në mikronin e domethënieve në çdo penelatë të tij. Me anë të një lupe mendimi ai të sjell imtësinë e bashkuar në një makrorealizëm kuptimor sa dhe kulturor një satirë. Tre janë pikat e forta të piktorit dhe karikaturistit Agim Sulaj, imtësia deri në thellësi, mesazhi për ekzistencializmin, satira. Sulaj është piktor i grafitit dhe i penelit, mjeshtëror si në hijedritë dhe në kolorite të forta, si në grafit dhe në panorama apo portrete njerëzore.
Nëpërmjet ngjyrave apo lojës së hijedritës, nëpërmjet kuptimit të drejtpërdrejtë apo domethënieve të tërthorta që shprehin ekzistencializëm dhe puritanizëm në figurat e tij ai gjurmon kudo ku mendja e tij shikon art. Ndryshe ai nuk mund dot ta kuptojë jetën.
Autenticiteti është gjithmonë lojë e tij dhe sidomos loz, si me doket, dhe me imazhet që semiotikisht përcjellin dykuptimësi sa dhe thellësi mendimesh.
Për këtë lojë mjeshtërore të tij në dorën e stërvitur mirë në vijëzimë miniature sa dhe performancë të gjithë tablosë ai është nderuar në shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Karikatura e tij godet gjithmonë, edhe atë që duket sikur nuk i intereson, edhe atë që mendon se ky fenomen është i përhapur në jetën e tij. Karikatura godet gjithmonë shpirtvogëlsinë sa dhe pompozitetin, mediokritetin sa dhe absurdin, viktimizimin apo egoizimin, të gjitha elementë të një personaliteti të dobët shoqëror, që edhe në raste të veçanta kthehet në shoqëri të tillë.
Në temën ‘Servilizmi’ paraqitet pushteti që pjell servilë, sillen rrotull një autoriteti të pamëshirshëm këta, përlyhen gjithë përkushtim, fshijnë çdo të metë të pushtetarit, pasi vetë servilët këtë adhurojnë, të bëhen më shumë të pushtetshëm.
Në sindormën e sadizmo-mazohizmit ai, sa përlulet, dhe po fitoi pushtet përul. Por kur është servil njeriu lëpihet, fshin çdo pluhur, çdo xham, qeth çdo qime për të sjellë një pushtetar si ai do të dëshironte të ishte. Për të mbijetuar ai nuk gjen dot rrugë tjetër.
Kjo nuk ka shtet dhe kohë, servilizmi është i pranishëm në çdo kohë për aq kohë sa njeriu është i paplotësuar, është çark i shpirtngushtësisë së vetes, mungesës së lirisë, apo padijes së tij jetësore.
Për këto qëndrime të njeriut, si të djeshëm dhe të sotëm revista ‘’Hosteni’’ ka qenë e famshme.
Kohët ndryshojnë, lumejtë rrjedhin, jeta është proces vazhdueshmërie e një kimie që vazhdon proceset e veta, por ka disa fenomene antivlere universale që vijnë si ‘’Kostum’’ që mbahet gjithmonë në garderobë, nuk shërohen dot aq kollaj, ato duan plotësimin e njeriut në jetën e tij të shkurtër, vështirësitë për të qenë.
Po ku janë të brymosura në personalitet këto këta njerëz kaq të ngushtë që shprehin kaq gjerësi veprimesh shpirtngushta?
Ato janë në marrëdhënien e pushtetit me popullin, me qytetarin, në hierarki pozicionesh dhe në sërë njerëzish, në interesa të shumta të njerëzve dhe në pamundësinë e tyre për t’u realizuar.
Dikur në kohën e monizmit kritikohej i afti po aq sa edhe ai mundohej të mbijetonte, vetëkritikohej, dhe të paaftit lulëzonin në çdo post kolltuqesh.
Sot është e njëjta gjë, në popujt e paplotëasuar dhe në sjelljet meskine të tyre kushdo qofshin kemi modën që vjen si metodë e vjetër po me një frak të ri, me copë moderne që quhet ndryshe pallto.
Kjo problematikë sipas artistit Agim Sulaj i përshtet fare mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ekspozita u bë mundur edhe nga Brunella Pala, Alban Çela si dhe ish ambasadori i Italisë në Shqipëri zoti Paolo Foresti.
“Një ekspozitë të tillë mendoj e meriton dhe vendi, ku këto vepra lindën dhe ushqyen idetë e mia në Shqipëri, ndoshta këtë vit”, pohon artisti.
Në lidhje me aktivitetin e tij piktori Agim Sulaj tregon se ka dërguar veprat e tij në disa konkurse si në Portugali në World Press Cartoon, në Turqi në Izmir, në Belgjikë në Knokke Heist si dhe Kruishoutem, po ashtu dhe në Dysseldorf në Gjermani.
Agim Sulaj ka një karrierë të pasur ku shpreh karikaturat e veta. Në 26 nëntor të vitit 2018 ai erdhi në Tiranë në hotelin ‘’Plazza’’ me 20 punime të tij me temën ‘’Rrënjet 3’’.
Ai rikthehet shpesh në Shqipëri, aty ka dhe miqtë, dhe kolegët dhe rrënjët e tij, po dhe një rikthim të tij në identitet e ta shikojë vetveten në pikën 0, që ta krahasojë në rrugëtimin e tij, e cila ka kohë profesionisht që ka nisur, qysh kur me imtësi vizatonte gazetat.
Sa realist me ngjyrat e tij domëthnënëse në portrete si Ali Pashë Tepelena, Gjergj Kastriot Skënderbeu, panoramave plot ngjyra të këndshme të bregdetit, ai vjen i rëndë në mesazh me karikatura grafiti si ‘’Valixhja e emigrantit’’ ku ka fituar dhe çmime ndërkombëtare në Turqi dhe në Londër .
Me anë të kësaj pikture me grafit shprehet tragjedia e një populli mërgimtar i endur në dallgët e shumta të tragjedive dhe dramave të veta. Këtu ai është më mjeshtëror se kurrë. Piktura e tij e mbushur me domethënie, gjithmonë godet një prapavijë që nuk shihet, një prapavije që injorohet apo mundohet nga shoqëria të harrohet në indiferencat e saj të shumta që pjellin forma deformimesh në karaktere. Por kjo nuk mund të bishtnojë te piktori, piktori për këtë është lindur.
Detajizmit të tij, si dikur piktori i mesjetës Bronzino, piktor i rilindjes italiane, nuk i mungon thellësia si te tablotë e mesazheve të forta nëpëmjet ekzistencës së fëmijëve që nisin udhëtimin e tyre të ndarjes midis një bote që fillon dhe asaj që përfundon me lindjen e tyre.
Madje dhe trungjet e pemëve japin më shumë mesazh se njerëzit me veshje popullore, ato shprehin jo vetëm ekzistencën po dhe këmënguljen për të qëndruar aty ku janë, te toka e tyre. Mjeshtëria e tij zgjatet dhe është e larmishme në kuptimësi.
Piktori ka një përdorim të mirë të grafitit dhe të punimit në vaj dhe kjo falë detajit i shton si kthjelltësinë dhe imtësinë, dy karakteristika që ka mjeshtëria e këtij piktori dhe karikaturisti.
I thjeshtë në komunikim ai motivon tema debutuese sa edhe kritikuese në problemet shoqërore, pasi shoqërorja është problemi thelbësor, aty gatuhen tragjekomeditë që shpreh karikatura.
Ai ka lindur në vitin 1960 në Vlorë. Rrugëtimi i tij në art nis profesionalisht kur ai kryen studimet e shkollës së mesme i ka bërë në vitin 1978. Në këtë kohë ai është student i Arteve të Bukura në Tiranë dhe i përfundoi ato në vitin 1985.
Pjesmarrja e tij në ekspozita kanë qenë të shumta si në Itali, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Danimarkë, Rumani, Bullgari, Luksemburg, Shqipëri. Gjithashtu ai ka dhe një shumësi çmimesh në karrierën e vet.
Cilat janë disa nga trofetë e tij profesionale?
Është fitues në garën tradicionale vjetore të satirave dhe humorit të organizuar nga revista ironike të kohës ‘’Hosteni’’ për karikaturën “Elegy”
1982 – Fitues i çmimit të parë në revista Hosteni, Satirë dhe Humor për emblemën e “70 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”
1984 – Fitues i çmimit të tretë në revista Hosteni – Satirë dhe Humor për karikaturë në titullin “Asortimenti dhe global”
1984 – Fitues i shpërblimit të posaçëm në konkurs me rastin e 40 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, organizuar nga Instituti i Lartë i Arteve të Bukura në Tiranë për karikaturën “Njeriu me dy fytyra”
1986 – Fitues i çmimit të parë tek Hosteni – Satire dhe Humor Magazine për karikaturën “Tymi im mbi të gjithë të tjerët”
1988 – Çmimi i parë në Çmimin e Karikaturës Ballkanike “Njeriu dhe Mjedisi”, Seres (Greqi)
1990 – Çmimi special “Aydin Dogan Competition International Cartoon” në Ankara (Turqi)
1998 – Çmimi i parë në “Eurohumor”, Cuneo (Itali)
1999 – Çmimi i nderit për Konkursin Ndërkombëtar të Karikaturistëve, Tolentino (Itali)
2000 – Çmimi i konkursit ndërkombëtar “Omaggio a Charles Shulz” në Cuneo (Itali)
2002 – Çmimi Ndërkombëtar Special “Eurohumor”, në Cuneo (Itali)
2003 – Fitues i dy çmimeve të veçanta në Festivalin Ndërkombëtar të Artit Humoristik në Tolentino (Itali)
2004 – Fitues i “Festivalit të Humorit” në Cuneo (Itali)
2005 – Çmimi special në garën evropiane të karikaturës “Shtëpia e piktorit” (Belgjikë)
2005 – Çmimi Special në Festivalin e 23-të Ndërkombëtar të Artit Humoristik, Tolentino (Itali)
2017- ka marrë dy çmimet e Portugalisë. Çmimi i dytë në konkurrimin ndërkombëtar me veprën e plastikës në qytetin Porto, si dhe çmimi i dytë në Espinhal po në Portugali me veprën “Cikli i jetës”.