Nuk ka më asnjë dilemë për ekipin e ri të sulmuesit italian Mario Balotelli. Olympique Marseille e ka zyrtarizuar atë nga rivalët e Ligue 1, Nice, me kontratë deri në fund të sezonit.
Marrëveshja është konfirmuar me një deklaratë në faqen zyrtare të Marseille, ndërsa Nice ka shtuar se Balotelli e ka përfunduar kontratën e tij për ta bërë këtë lëvizje.
28 vjeçari do ta vesh numrin 9 në fanellë për skuadrën e Rudi Garcias për pesë muajt e ardhshëm dhe pritet që të fitojë katër milionë euro.
Balotelli iu bashkua Nice në verën e 2016-ës ku e riktheu formën, shënoi 43 gola dhe e përfundoi “ekzilin” e tij, duke u ftuar në kombëtaren e Italisë.
Megjithatë, ish-sulmuesi i Interit, Milanit, Manchester City-t dhe Liverpool nuk ka arritur që të shënojë asnjë gol në urdhrat e trajnerit të tij më të ri, Patrick Vieira këtë sezon.