MENU
klinika

Oferta për kredi

Bankat “lëshojnë dorën” për individët

20.01.2019 - 14:29

Bankat kanë lehtësuar më tej kreditimin e individëve në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky lehtësim u manifestua në të dyja kategoritë, si për kreditë për blerje banese, ashtu edhe për kreditë konsumatore.

Sipas anketimit të kryer nga Banka Qendrore, bankat u shprehën për një lehtësim të mëtejshëm të pritur të standardeve të kreditimit për individët edhe në tremujorin e parë të vitit 2019.

Standardet më të lehtësuara të kreditimit për individët, në tremujorin e katërt, u nxitën nëpërmjet trysnisë së shtuar nga konkurrenca në sistem bankar, si edhe nga kosto e kufizime më të ulëta që burojnë nga pozicioni i likuiditetit të bankave.

Kërkesa e individëve për kredi u raportua më e lartë në tremujorin e fundit të vitit, në sajë të kërkesës së shtuar për kredi konsumatore. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi me qëllim blerje banese u perceptua më e ulët nga ana e bankave.

Pritjet e bankave për tremujorin e parë të vitit 2019 flasin për shtim të kërkesës për kredi nga ana e individëve, në të dyja kategoritë.

Bazuar në perceptimet e bankave tregtare, rritja e kërkesës për kredi në tremujorin e katërt nga ana e individëve u nxit nga nevoja e shtuar për financimin e konsumit dhe e blerjes së banesave, niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si edhe kreditë nga bankat dhe jobankat.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN