MENU
klinika

Kredia bankare

Leku “fiton” individët

21.09.2018 - 13:18

Leku duket se po arrin një fitore të pjesshme në betejën me euron brenda sistemit financiar. Kredia në lekë dominon së paku në segmentin e individëve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, huaja në monedhën vendase për individët në fund të muajit korrik kishte vlerën e 115 miliardë lekëve.

Kredia në lekë përbën mbi 63% të kredisë për individë. Edhe tendenca në kohë është e kundërt; ndërsa kredia në lekë është rritur me 6.5% që nga fillimi i vitit, kredia në valutë ka rënë me 3.5%. Megjithëse rënia e portofolit në valutë është ndikuar edhe zhvlerësimi i euros në kursin e këmbimit me lekun, duket qartë në vitet e fundit se tendenca e kreditimit të individëve është në favor të lekut.

Kjo kthesë lidhet me disa faktorë, ku mjaft thelbësor ka qenë edhe rënia e ndjeshme e normave të interesit. Deri në vitet e para të krizës, normat më të ulëta të interesit i shtynin shumë individë të merrnin kredi në euro. Interesat në euro ishin shumë më të ulëta, veçanërisht prej politikave të ndjekura nga disa grupe të huaja bankare, që i financonin filialet shqiptare me norma shumë të ulëta. Në vitet e fundit, për shkak të politikës monetare lehtësuese, diferenca mes normave të interesit në lekë dhe në euro është ngushtuar ndjeshëm.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Kjo ka bërë që individët të kenë më pak stimuj për të marrë përsipër rrezikun e kursit të këmbimit. Prej vitesh edhe bankat vetë po promovojnë huamarrjen në monedhën në të cilën kredimarrësi ka të ardhurat, sepse në rast të kundërt atyre iu kërkohet një mbulim më i lartë me kapital për këto kredi.

Ndërkohë, portofoli i kredisë së biznesit vazhdon të dominohet nga euro, por në shumë raste kjo shpjegohet edhe me llojin e aktivitetit dhe me faktin që shumë sipërmarrje të ardhurat i gjenerojnë në monedhën europiane.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN