Autoriteti i Konkurrencës miratoi shitjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare (Banka Malajziane, siç njihet ndryshe) te Union Bank. Ky vendim i hap rrugë përqendrimit të mëtejshëm të tregut bankar në vend, ku numri i bankave nga 14 do të ulet në 13.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, përqendrimi i realizuar nuk do të sjellë ndryshime të ndjeshme të strukturës së tregut përkatës dhe marrja e kontrollit nga Union Bank do t’i janë mundësi klientëve të Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB Bank) të përfitojnë nga shërbime shtesë.
Union Bank është aktualisht banka e tetë më e madhe në Shqipëri, me 3.4% të aktiveve të sistemit bankar. Ndërsa ICB Bank ka përmasa mjaft modeste, me vetëm 0.7% të aktiveve. Pas bashkimit, Union Bank do të arrijë një pjesë tregu në rreth 4.1%, pa arritur të ngjisë më tej vende në renditjen e bankave për nga madhësia.
Marrëveshja e shitjes së aksioneve u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar, për një shumë rreth 9 milionë dollarë amerikanë. Kjo është shitblerja e gjashtë e bankave që realizohet në tregun shqiptarë në katër vitet e fundit.
Transaksioni do të mbyllet pasi të ketë marrë edhe miratimin e fundit të nevojshëm, nga Banka e Shqipërisë. Gjatë muajit shkurt, pritet që Banka Qendrore t’i hapë dritën jeshile edhe shitjes së Societe Generale te hungarezët e OTP, si edhe të Tirana Bank te konsorciumi Balfin – Komercijalna Banka.