MENU
klinika

Lorik Cana

“S’më dhanë vizë, do isha provuar tek Arsenal”

03.01.2019 - 12:13

Lorik Cana, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, i ftuar në emisionin “Mos i fol babagjyshit” në “Ora News”, ka treguar disa detaje nga karriera e tij kur ishte i ri. Mes tyre, bie në sy sidomos historia e interesimit të Arsenal. Ishte koha kur Cana luante te të rinjtë e PSG-së.

“Bëmë një turne në Zvicër dhe, mes këtyre skuadrash, ishte edhe Arsenal, PSG dhe disa skuadra të tjera. Më erdhi ftesa nga Arsenal për të bërë një provë, kontretisht nga Arsen Wenger. Isha akoma 16-vjeç dhe më kujtohet që u bëmë të gjithë gati. Ishte një mundësi e artë.

Shkuam në ambasadë për të marrë vizën. E shikoja si mundësinë e fundit për të pasur një karrierë futbolli, sepse kishim marrë shkresën që do të riktheheshim në Kosovë. Kur nuk ma dhanë vizën, ishte shumë e rëndë. Sikur të mbyllet një derë” – tregon Cana.

Cana rrëfen gjithashtu edhe aventurën te PSG, kur kishte të bënte me shumë yje në ekip. “Në moshën 18-vjeçare kam filluar të stërvitem me ekipin e parë të PSG-së. Në atë kohë, Parisi kishte yje botërore. Një nga këta ishte dhe Ronaldinho. Sapo kishte fituar Botërorin në vitin 2002.

Më kujtohet herën e parë kur shkova në stërvitje, i tregova dhe emrin tim. Nuk e mbajti mend dhe më thërriste Sedrik. Më vonë, e kuptova që kisha fituar besimin e tyre, kur Ronaldinho filloi të ma thërriste saktë emrin tim. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme” – rrëfeu Lorik Cana.