MENU

NBA

Bien Warriors, 42 pikët e Harden s’mjaftojnë

14.02.2019 - 12:18

Ka qenë një natë plot spektakël e surpriza në NBA. Surpriza e madhe ishte pa dyshim humbja e Golden State Warriors 129-107 në parketin e Portland Trail Blazers.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Sfida u zhvillua në ekuilibër të plotë deri në fillim të periodës së katërt (94-94), por më pas skuadra e drejtuar nga Trerry Stotts bëri diferencën, e udhëhequr nga Damian Lillard me 29 pikë në total.

Për Warriors, Durant dhe Curry shënuan nga 32 pikë, por që nuk mjaftuan në fund për të marrë fitoren e gjashtë radhazi.

Një përballje me pritshmëri të larta ishte ajo mes Indiana Pacers dhe Milwaukee Bucks, që u mbyll me fitoren 97-106 të kryesuesve të Lindjes. Një Giannis Antetokounmpo monumental, me 33 pikë, 11 asistime dhe 19 topa poshtë koshit bëri diferencën mbi parket.

Toronto Raptors, sikurse parashikohej, fituan 129-120 me Washington Wizards, përballje në të cilën spikati kamerunasi Pascal Siakam me plot 44 pikë, ndërsa nga ana tjetër Bredley Beal nuk mjaftoi me “double-double” e tij, 28 pikë e 11 asistime.

James Harden u ndje i vetëm në parketin e Minnestona Timberwolves, ku 42 pikët e tij nuk u shërbyen Houston Rockets, të cilët u mposhtën 121-111. Për Timberwolves spikati veçanërisht Teague me 27 pikë e 12 asistime.

Gjithçka e lehtë për Los Angeles Clippers, që iu imponuan 134-107 Phoenix Suns, me skuadrën nga Arizona që pësoi humbjen e 15-të radhazi. “Double-double” i Lou Williams (30 pikë e 10 “rebound”), ndërsa italiani Danilo Gallinari shtoi edhe 20 pikë për Clippers.

Për të përcaktuar fituesin mes Cleveland Cavaliers dhe Brooklyn Nets u luajtën plot tri kohë shtesë e në fund njujorkezët triumfuan 139-148, duke zhvlerësuar paraqitjen e jashtëzakonshme të Clarkson, që realizoi 42 pikë për Cavs.