MENU
klinika

Administratori i Flamurtarit

Idrizi sqaron largimet: Alves e pres në Vlorë

21.02.2019 - 16:08

Flamurtari nuk gjen qetësi, qoftë edhe atëherë kur fiton pastër ndaj Skënderbeut, rivalit historik. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, ka folur gjatë në një konferencë shtypi për zhvillimet e fundit te Flamurtari.

I prekur nga shumë largime në merkaton e dimrit. Idrizi ka sqaruar një për një situatën e çdo lojtari, si dhe ka trajtuar sërish çështjen e marrëdhënies së vështirë me bashkinë:

ALBI ALLA – “Me Albin Allën biseduam para 20 ditësh. Ai kishte një ofertë të mirë dhe folëm si miq, jo si punëdhënës-punëmarrës. Unë i thashë se me ato kushte duhej të shkonte sa më shpejt atje.

Sigurisht, për klubin është minus i madh, por vendosa primare atë që përfaqëson Albi Alla, një futbollist korrekt. Shpresoj që pas Kinës të rikthehet në Vlorë dhe i uroj suksese.”

TORASA – “Ka një çështje. Ai ka qenë shumë korrekt, kurse klubi ka qenë pjesërisht jokorrekt me të. Kur kërkohet një bashkëpunim i një tjetër lloji, bëhet shantazh, ndaj dhe klubi do ta padisë.

Është rasti i dytë ose i tretë që na bëhet shantazh. Torasa vendosi të largohej, por kemi rënë dakord për këtë gjë. Albi është histori tjetër, Torasa tjetër. E kuptoj arsyen ekonomike, pra të shkosh në një klub, ku merr 30 mijë euro pagë.

Mund të ishim ndarë në një mënyrë tjetër. Danilo Alves është realisht në Kazakistan, në një vend ku na ka det. Jam i sigurt që shumë shpejt do të kthehet në Vlorë, sepse e merr malli shpejt për Vlorën. Nuk dua të bëj batuta, e pres në Vlorë.”

LARGIMET – “Për largimet nuk doja të ndodhnin dhe përgjegjësia bie mbi mua dhe pronarët e Flamurtarit, qytetarët e Këshillit Bashkiak. Minimumi të shkruajnë një letër dhe të kemi këtë përgjigje.

Më vjen keq për gjithçka ndodh dhe duhet të gjej mënyra të tjera. Nëse Këshilli Bashkiak nuk gjen kohë të kthejë përgjigje, nuk e di çfarë ndodh. Nuk dua financim nga Këshilli Bashkiak.

Kam bërë disa investime, le të mos i njohin, por të kthejnë përgjigje. Ku është ligji për privatizimin? Dua të gjej të drejtën time. Të gjitha këto bëhen në dëm të sportit.”

sinan idrizi dhe leli
sinan idrizi dhe leli

KLUBI – “Për respekt të fanellës së Flamurtarit përdor burimet e mia për të mbajtur ekipin. Kemi dy kompani që financojnë dhe një marrëdhënie, ku na është thënë se borxhet e prapambetura janë të tyret.

Nuk i dua paratë. Nuk kërkoj lekë, kërkoj përgjigje për pagesat që kam bërë. Kjo histori duhet mbyllur, sepse është e pamundur të vazhdoj me këtë sistem. Kemi ardhur të rindërtojmë një ekip, por më parë dua një klub.

Dështimi më i madh është akademia e Flamurtarit. Kemi dështuar me vlonjatët. Më lumturojnë që janë 5-6 lojtarë, të cilët do bëjnë surprizën. Jam i lumtur nëse këta djem do respektojnë fanellën e qytetit”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sokol Kushta për Flamurtarin

Kushta: Idrizi negativ? Dha miliona euro