Me rastin e 100-vjetorit të klubit Vllaznia, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nderua sot yjet e sportit shkodran, që ndër vite kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.
Ceremonia u mbajt në teatrin “Migjeni”, ku Meta dekoroi shumë figura sportive, madje dikë edhe pas vdekjes. Presidenti më parë ka nderuar edhe figura të tjera sportive, në Tiranë, Vlorë, Korçë, madje edhe në SHBA.
ISH-SPORTISTËT QË U DEKORUAN
Sabah Bizi – Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut
Ramadan Rragami – Mjeshtër i Madh
Hysen Zmijani – Mjeshtër i Madh
Astrit Hafizi – Mjeshtër i Madh
Xhevdet Shaqiri(pas vdekjes) – Mjeshtër i Madh
Fatbardh Jera – Mjeshtër i Madh
Edi Martini – Mjeshtër i Madh
Vioresin Sinani – Mjeshtër i Madh
Mark Kroqi – Mjeshtër i Madh
Gjino Mjeda – Mjeshtër i Madh
Pina Haxhi Vuka – Mjeshtre e Madhe
Refik Vorfa – Mjeshtër i Madh
Muhamet Sokoli – Mjeshtër i Madh
Sokol Karaj – Mjeshtër i Madh
Agim Tafili(pas vdekjes) – Mjeshtër i Madh
Rrok Bardeli – Mjeshtër i Madh
Hysni Bebeziqi (pas vdekjes) – Mjeshtër i Madh
Arbana Xhani – Mjeshtre e Madhe
Asim Belinovi – Mjeshtër i Madh
Presidenti Meta vlerësoi sot me rastin e 100-vjetorit të krijimit të saj, edhe Shoqërinë Sportive “Vllaznia” gjatë një ceremonie të zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës, duke e nderuar me “Nderi i Kombit”. Në fjalën e tij Presidenti Meta u shpreh:
“Ju përshëndes dhe ju uroj për shumë vjet gëzuar 100-vjetorin e Klubit ‘Vllaznia’.
Jam i lumtur të hapim siparin e festimit të përvjetorit të Klubit tuaj shekullor duke nderuar së pari kujtimin e ndritur të Shoqërisë ‘Vllaznia’, pararendësen e Klubit të sotëm sportiv, që bashkë me emrin trashëgoi përkushtimin, pasionin dhe vizionin e saj.
Shkodra është qyteti i bukurisë së përjetshme! Nuk ka etapë të njerëzimit ku shkodranët të mos kenë skalitur gjurmët më të mira të qytetërimit shqiptar.
Kjo kryeqendër e Veriut shqiptar, veç magjisë së peizazhit dhe vlerave monumentale është mbartëse e vlerave patriotike dhe një historie të pasur dhe të lavdishme të jetës qytetare.
Themelimi 100 vite më parë i ‘Vllaznisë’ ishte një akt i madh!
Kjo shoqëri u ngrit si vokacion lirie në një moment dramatik, kur qyteti i tyre rrezikonte të ngelej jashtë kufijve të atdheut mëmë.
Të rinj, juristë, artistë, profesorë, punëtorë, gazetarë, shkrimtarë dhe sportistë lanë mënjanë ndasitë fetare dhe dallimet shoqërore dhe u bashkuan për t’i treguar botës se shkodranët janë pjesa më e ndritur e civilizimit dhe identitet shqiptar, vlerave patriotike, e gjuhës, kulturës si dhe pasurisë së tij shpirtërore.
Shoqëria ‘Vllaznia’ ngelet një nga shembujt më të civilizuar të rezistencës dhe aspiratës shqiptare për liri e progres shoqëror.
Jehona e aktivitetit të saj i dha hov të mëtejshëm jetës shoqërore në qytet, duke e përjetësuar emrin e saj me atë të klubit të parë sportiv shqiptar ‘Vllaznia’. Një ndër Klubet që ka shkruar faqe të ndritura suksesi në sportin shqiptar, por edhe në përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.
Të dashur miq,
E prita me kënaqësi propozimin e Kryetares së Bashkisë për të dekoruar Shoqërinë ‘Vllaznia’ me titullin e lartë ‘Nderi Kombit’.
Këtë ceremoni solemne dekorimi do të kisha dëshirë, ta shoqëronim me përurimin së bashku të një Memoriali, për të lenë të gdhendur në mermer nderimin për ‘Vllazninë’, sportistët e saj dhe bijtë e shquar të Shkodrës.
Në këtë mënyrë lavdia e kontributit dhe e veprës së tyre do të jetë përherë në sytë dhe mendjen e të gjithë brezave sportiv e sidomos të rinjve dhe do t’i frymëzojë ata në rezultate përherë të larta! Urimet më të mira për Vllazninë, Shkodrën dhe qytetarinë e saj!”