MENU
klinika

Legjenda u zemërua

Arsyeja pse Johan Cruijff u largua nga Ajax

08.03.2019 - 12:20

Ajax bëri mrekullinë në “Bernabeu” të martën, duke eliminuar kampionët në fuqi të Real Madrid, që kishin fituar 3 herë radhazi Champions League.

Menjëherë nisën krahasimet për ekipin holandez, duke sjellë në vëmendje vitet 70’, kur Ajax bënte ligjin në Europë. Kujtojmë vitin 1973.

Nis grumbullimi i Ajax, që fitonte Kupën e Kampionëve prej tri vitesh radhazi. Po flasim për një ndër skuadrat më të bukura që janë parë ndonjëherë në historinë e futbollit.

Ai që quajmë “futboll total”. Të gjithë mbrojmë, të gjithë sulmojmë. Duheshin këmbë, por sidomos tru…Dhe natyrisht mes tyre ishte edhe Johan Cruijff.

I rritur mes vështirësive, pasi e dëbuan nga shërbimi ushtarak për difekt në këmbët e tij, u detyrua të linte gjithçka vetëm për të ndjekur pasionin për futbollin, pas vdeskjes së të atit. I vogli Johan arriti të çante me talent, pasion dhe sidomos kreativitet.

Asnjë ekip nuk kishte sjellë revolucion në futbollin pas lufte ashtu si bënë “shigjetarët” dhe sidomos kombëtarja e Holandës. Le të kthehemi në atë ditë, kur erdhi momenti që të votohej kapiteni.

Ajax, në filozofinë dhe rregulloren e klubit, voton për kapitenin çdo vit: motivi që 3 Kupat e Kampionëve janë ngritur nga tri kapitenë të ndryshëm. Duket sikur nuk ka dyshime: i fundit që e ka ngritur trofeun është Cruijff, një nga pesë futbollistët më të mëdhenj të historisë.

Por, ndodh befasia: votohet kundër tij! Profeti i golit vrapon në dhomën e tij dhe i telefonon kunatit të tij, që si një holandez i mirë, di të negociojë me futbollistë. “Do të çoj te Barcelona, bëj gati rrobat!” – është përgjigja.

Në 15 minuta prishet një nga makinat më të mëdha të historisë së futbollit. Sepse, nga ai moment, do të arratisen të gjithë kampionët dhe yjet e Ajaxit.

“Profeti” vazhdon të fitojë dhe nuk ndalet, në Amsterdam një “vello e zezë” mbulon futbollin. Asgjë nuk do ishte si më parë më si më parë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN