Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, edhe pse ka qenë present të hënën në takimin Qeveri-FSHF, nuk ka folur, ndërsa sot ka dhënë mendimet e tij për situatat në futbollin shqiptar.
Ligji – “Them që mos ta nisim nga dhuna, që u bë shkak për të arritur një konkluzion që për mua është vit demarkacioni në ekonominë e sporteve në Shqipëri.
Kjo pasi do të kemi të bëjmë me një sport që nuk do të ngelet në dorë të enteve publike ku trokitet për të kapur fonde. Do të jetë një sport që do të rrugëtojë me normat e kapitalizmit.
Nuk do të ketë më rrogëtarë bashkish që bëjnë sikur punojnë pranë klubeve. Ekonomia e sportit i takon privatit. Do të ketë marrëdhënie biznesi”, – u shpreh fillimisht Idrizi.
Roli i shtetit – “Shteti shqiptar ka marrë përsipër të sjellë një ligj, ku investimet në sport do të kenë karakter dhe status të veçantë.
Për shembull, nëse një kompani ka 10 milionë dollarë tatim mbi fitimin, do i derdhte të gjitha te shteti, ndërsa tani i njeh të drejtën e kompanisë që një pjesë të këtyre parave e t’i kalojë në llogarinë e klubeve sportive.
Kryeministri tha se Hungarinë nuk e marrim dot si shembull, pasi atje deri në 70% të tatim-fitimit mund të jepet për sportet elitare, por të paktën të bëhet si në Kosovë.
Nga ky moment klubet shqiptare e nisin me 1 milionë dollarë buxhet. Me këtë ligj kompania nuk ngelet peng i asnjë strukture shtetërore.”
Privatizimi i Flamurtarit – “Kur Flamurtari të privatizohet, objektet që marrim, do të jenë të patjetërësueshme. Do të jetë një klub me rregulla kapitaliste.
Nëse klubet nuk privatizohen, do të kemi probleme me pagat. E mira e këtij ligji është se nuk do të ketë njerëz që shpenzojnë dhe humbin nga lekët e tyre.
Tani nga tatimet që do i jepnin shtetit, do i hedhin në klub. Ata që investojnë në sport dhe art do të kenë lehtësira.”
Dhuna – “Dhuna më e madhe në stadiumet tona është psikologjike. Shkaktarët janë ata që menaxhojnë futbollin tonë. Nëse fokusohemi te një dhunë 5 minutëshe, që është e papranueshme, atëherë largojmë atë që bëhet ndaj tifozëve dhe stafeve.
Kemi një shkak dhe një pasojë. Të gjithë jemi kundër dhunës fizike, ndërkohë që nuk analizojmë atë psikologjike. Një stadium fryhet nga një arbitër i keq. Dhuna zgjidhet lehtë, forco ligjin dhe kaq”, – përfundoi Idrizi.