MENU
klinika

Christian Panucci

“Fitojmë me Turqinë, Durmishaj mashtroi”

17.03.2019 - 18:11

Sot ka nisur zyrtarisht fushata eliminatore për “Euro 2020”, teksa kuqezinjtë e parë janë grumbulluar në Durrës, për t’u përgatitur për dy ndeshjet e para të marsit, ndaj Turqisë më 22 mars dhe Andorrës më 25 mars.

Christian Panucci ka dalë sot para gazetarëve dhe është dukur entuziast, ndoshta edhe për faktin se tashmë ka një grup thuajse të plotë dhe lojtarët po luajnë rregullisht në klubet përkatës.

Panucci është i bindur se kundër Turqisë mund të merret rezultati pozitiv, edhe pse e pranon se kundërshtari është më i fortë. Ndërkaq, Panucci ka fjalë shumë të forta për Durmishajn, i cili na braktisi për Greqinë.

Çfarë prisni ndryshe, duke qenë se keni premtuar ndryshime?

Sjellja në fushë po, ajo duhet ndryshuar. Edhe taktikisht do të bëjmë pak ndryshime, kemi rikuperuar disa lojtarë dhe diçka do ta ndryshojmë. Mund të luajmë me 4-3-3 ose me 3-5-2, të shohim.

Nuk do të luajmë thjesht në mbrojtje, por kam kuptuar që kam gabuar. Sa më shumë hapemi në fushë, aq më shumë probleme kemi.

A jeni i kënaqur me skuadrën, pas kthimit të shumë lojtarëve?

Jam i kënaqur me këta 23 lojtarë që kemi, mund të vijnë të tjerë. Kisha grumbulluar Cikalleshin, por ai u dëmtua, është edhe Ndoj i dëmtuar, Binaku ka probleme muskulore.

Kthehet Abrashi, kthehet Ajeti, Grezda më në fund u kthye në fushë dje, edhe pse ndoshta nuk ka 90 minuta në këmbë. Kaçe po luan rregullisht, është kthye në kombëtare, ndërsa më parë nuk luante.

Ka shumë futbollistë shqiptarë nëpër Europë që nuk luajnë rregullisht dhe ky grup luan mjaftueshëm. Kemi Qosen që vjen në kombëtare, e kam ndjekur gjatë gjithë dimrit, të tjerët janë të njëjtët. Mavraj është i pezulluar, të shohim si është Sadiku, sepse është shumë i rëndësishëm për ne.

mavraj kombetarja
mavraj kombetarja

Çfarë duhet të bëjë Bare më shumë, për të luajtur në kombëtare? 

Ç’lidhje ka Bare, është gjë miku yt? Do shkoj ta shoh, se është edhe Marbella afër. Mund të jenë shumë të tjerë që mund të vijnë në kombëtare.

Planet janë për ndeshjen e radhës, apo për gjithë eliminatoret?

Duhet të shohim vetëm ndeshjen e radhës, sepse kam parë që këtu kalohet lehtë në eufori. Jam i bindur se mund të bëjmë diçka speciale, përndryshe iki.

Thjesht duhet të jemi të qetë dhe të përulur, sepse më duket se 2016 nuk u ka bërë mirë disa njerëzve. Jam i bindur që mund të bëjmë shumë mirë ndaj Turqisë, mund të provojmë të fitojmë.

Vrushaj e Durmishaj na braktisën. Po me Tahiraj e Seferi, a ka pasur kontakte?

I kemi nën vëzhgim, janë në planet tona për të ardhmen. Vrushaj e Durmishaj kanë bërë zgjedhjen e tyre, kanë ikur te Greqia.

panucci kombetarja
panucci kombetarja

 Lenjani, pse mungon këtë radhë?

Sepse janë Binaku dhe Aliji.

Duket sikur kemi pak zgjedhje nga krahët…

Jo, kemi shumë lojtarë nga krahët, kemi Grezdën, Uzunin, kemi mbrojtësit e krahut që janë të aftë të luajnë edhe më përpara.

Mbrojtja, si do ndryshojë, duke qenë se kemi pësuar shumë gola kohët e fundit? 

Problemi ka qenë mënyra e lojës. Do jemi më kompaktë dhe do e ndihmojmë mbrojtjen me mënyrën si luajmë. Gjimshiti luan tek Atalanta, Hysaj te Napoli dhe Ismajli te Hajduk Split. Formacioni? Do luajmë 4-4-2 (qesh.). Do e ndryshoj gjatë gjithë javës.

Si e shihni Turqinë, sa e njihni?

Është një skuadër e fortë, superiore ndaj nesh. Sapo ka ndërruar trajner. Duhet të tregohemi më të fortë për ta mundur, por kam besim te djemtë e mi, mundohem të jem gjithnjë pozitiv dhe besoj se mund të fitojmë.

Mungon Under te Turqia, është një lajm i mirë për ne, por duhet të shohim si do luajë Turqia, sepse trajneri i ri luan zakonisht 4-2-3-1.

Megjithatë, mendoj më shumë për ekipin tim. I kam idetë e qartë çfarë duhet të bëjmë, duhet të luajmë lojën tonë, por natyrisht do ketë ndryshime në skemë nga Turqia tek Andorra.

kombetarja sadiku balliu
kombetarja sadiku balliu

Berisha apo Strakosha, për portën?

Kur bëj formacionin, zakonisht dy të parët nuk i gaboj kurrë. Berisha apo Strakosha, dhe pastaj Hysaj. Kam ende dyshime aty, të shohim. Mbrojtjen pak a shumë e morët vesh, e thashë më sipër.

A ka lojtarë për kombëtaren Kategoria Superiore?

Shumë e vështirë, kampionati shqiptar i jep shumë pak kombëtares. Kampionati çon lojtarë jashtë dhe më pas më të mirët vijnë në kombëtare. Realiteti është i tillë, edhe pse i ndjekim të gjithë.

Abrashi, sa i rëndësishëm është për ne?

Është lojtar me peshë, me shumë eksperiencë. Na duhet shumë forca e tij, tërbimi, agresiviteti. Duhet ta kemi të qartë kush jemi ne.

kombetarja stervitje

Durmishaj, mos ndoshta duhej të luante pak minuta sa për ta djegur, si Vrioni?

Këtë radhë grumbullova vetëm 2 sulmues. Vrioni është shumë i rëndësishëm dhe ka të ardhme të shkëlqyer, thjesht i duhet të piqet. Durmishaj është lojtar i ngjashëm, të shohim sa do luajë për Greqinë.

Vendimi i tij duhet respektuar, çdokush bën atë që do, por problemi është që në fillim thonë “po”, pastaj “jo”, pastaj dërgon ndonjë mesazh dhe përgjigjet menaxheri. Këta lojtarë që bëjnë kështu nuk do bëhen kurrë lojtarë të vërtetë.

Një lojtar i vërtetë e thotë me bindje “po”, “jo”, nuk qurravitet. Këta janë lojtarë me “ko*e”, jo ata si Durmishaj që sapo i kërkon Greqia apo një kombëtare tjetër u prishet mendja. Këtu jam gati të vendos bast: Durmishaj nuk do bëhet kurrë lojtar i rëndësishëm.

Këtu do jemi, do flasim pas dy vitesh. Shkova të takoj një lojtar, erdhën babai, menaxheri, xhaxhai, kryetari i bashkisë, m’u duk sikur ishte Messi. Nuk e di fare ku luan tani.

“Nuk e di, duhet të mendohem, të flas me menaxherin, me babin”. Për çfarë, menaxheri e vendos jetën tënde? Isha me një drejtues të Federatës, i thashë “nuk vlen, hiqi vizë”. Menaxheri e trajtonte sikur të ishte Cristiano Ronaldo.

Roma, a ka pasur diçka reale?

Nëse kanë menduar për mua, nuk e di. Megjithatë, nuk kam marrë asnjë telefonatë, zero. Po të kisha marrë një telefonatë, një sekondë më vonë do telefonoja presidentin Armand Duka, për ta njoftuar, sepse respekti për mua është shumë i rëndësishëm.

Mua më paguan FSHF dhe nuk mund të flas me asnjë ekip tjetër për sa kohë jam i Shqipërisë. Jam i lumtur këtu, nuk e di për ju.