MENU
klinika

Mungon Messi

Transferimet më të shtrenjta, formacioni

30.03.2019 - 10:06

Vit pas viti po thyhet rekordi në shitblerjet e futbollistëve, duke bërë që edhe një portier të kapë vlerën e 80 milionëve eurove, e po ashtu një mbrojtës.

Për të mos folur pastaj për sulmuesit, ku për momentin rekordin e mban Neymar me 222 milionë euro nga Barcelona te PSG.

Real Madrid kërkon ta thyejë këtë rekord, teksa kërkon Kylian Mbappe, për të cilin është gati të paguajë 285 milionë për PSG-në dhe ta sjellë në “Santiago Bernabeu”.

Prestigjozja spanjolle “Marca” ka bërë një formacion me blerjet më të shtrenjta në histori, të cilët janë transferuar në vitet e fundit dhe bie në sy vlera e jashtëzakonshme e formacionit, që arrin në 1.159 miliard euro.

Në portë, qëndron portieri Kepa, për të cilin Chelsea shpenzoi 80 milionë euro, duke e blerë nga Athletic Bilbao, ndërkohë që edhe mbrojtja është realisht shumë e frikshme.

Laporte u ka kushtuar arkave të City-t plot 65 milionë euro, ndërkohë që 80 milionë euro i kushtoi Hernandez skuadrës së Bayern Munchen.

Për një shifër të frikshme, u ble edhe Van Dijk nga Liverpool, që pagoi plot 85 milionë euro te Southampton, që është edhe shifra rekord për mbrojtësit.

Në mesfushë, Coutinho udhëheq me 120 milionë euro të shpenzuara për të nga Barcelona, ndërkohë që 105 milionë euro ka kushtuar Pogba për kalimin nga Juventus tek United.

mbappe neymar
mbappe neymar

Megjithëse shumë i ri në moshë, De Jong i ka kushtuar Barcelonës plot 75 milionë euro, shifër e njëjtë me atë që është paguar për James Rodriguez nga Real Madrid.

Në sulm, udhëheq Neymar me 222 milionë euro të shpenzuara, i ndjekur nga Mbappe me 135 milionë euro. Dhe në fund Cristiano Ronaldo, që Juventusit i ka kushtuar 117 milionë euro.

Sic shihet, mungon Messi, por jo kjo për vlerën e tij, por për faktin se ai nuk është transferuar kurrë. A do të paguhej një shifër rekord për Messin? Kurrë mos thuaj kurrë…