MENU

"Rruga e re e mëndafshtë"

Italia nënshkroi me Kinën/ Pse shqetësohet Brukseli?

24.03.2019 - 10:34

Italia u bë fuqia e parë e madhe perëndimore që miratoi të shtunën projektin e infrastrukturës “Rruga e mëndafshtë” të Kinës, ndërsa vendi kërkon mënyra për të ringjallur ekonominë e saj në vështirësi.

Kryeministri italian Giuseppe Conte shtrëngoi duart me presidentin kinez Xi Jinping në një ceremoni nënshkrimi pas një udhëtimi tre-ditor të udhëheqësit kinez.

Firmat kineze dhe italiane gjithashtu nënshkruan rreth 10 marrëveshje të tjera në sektorët e tubacionit të energjisë, çelikut dhe gazit me vlerë rreth 5 miliardë euro sipas mediave italiane.

Megjithatë, marrëveshja ka irrituar Brukselin dhe disa figura pro-BE, si presidenti francez Emmanuel Macron, të cilët e shohin atë si ndihmën e një prej rivalëve kryesorë ekonomikë të bllokut.

 

Iniciativa e re e Kinës është thelbi i strategjisë së politikës së jashtme dhe është përfshirë në Kushtetutën e Partisë Komuniste në 2017, duke treguar dëshirën e Xi për ta bërë Kinën një udhëheqëse global.

Si vendi i parë G7 që ka nënshkruar planin, të dy vendet kanë nënshkruar një bashkëpunim më të madh ekonomik, veçanërisht në fushat e tregtisë, transportit, infrastrukturës dhe lidhjes.

Ekonomia degraduese e Italisë mund të jetë arsyeja numër një përse vendi evropian ra dakord të nënshkruajë marrëveshjen e Kinës.

Megjithatë, jo të gjithë në koalicionin qeverisës mbështetën nënshkrimin e marrëveshjes. Zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini, i cili drejton Ligën e së djathtës ekstreme, paralajmëroi kundër rrezikut të “kolonializimit” të tregjeve italiane.

Salvini nuk u takua me Xi gjatë vizitës së tij dhe madje refuzoi të merrte pjesë në një darkë shtetërore në nder të mysafirëve të premten.

Zëvendës Kryeministri i Italisë dhe kreu i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio, vuri në dukje faktin se Italia eksporton shumë më pak në Kinë sesa në Gjermani apo Francë. Italia kishte një deficit tregtar prej 17.6 miliardë euro me Kinën vitin e kaluar dhe Di Maio tha se qëllimi ishte të eliminonte shpejt deficitin.

Rivalja kryesore ekonomike e Kinës, Shtetet e Bashkuara kanë frikë se plani është një strategji për të forcuar ndikimin ushtarak të Kinës dhe mund të përdoret për të përhapur teknologji të aftë për të spiunuar interesat perëndimore.

Brukseli nuk është gjithashtu shumë i kënaqur me afrimin midis dy vendeve. Macron, për shembull, tha të premten se marrëdhëniet me Kinën nuk duhet të bazohen kryesisht tek tregtia.

BE do të takohet me Kinën për një samit dypalësh në 9 prill në Bruksel.

Euronews