MENU
klinika

Dalja e Britanisë nga BE

May u refuzua, sot votim për Brexit pa marrëveshje

13.03.2019 - 10:54

Pasi marrëveshja e kryeministres Theresa May u refuzua të martën në mbrëmje për të dytën herë, parlamenti do të votojë  sot për Brexit pa marrëveshje.

Nëse dhe kjo dështon atëherë do të ketë një votim të tretë brenda javës ku do t’i kërkohet kohë BE-së për të shtyrë daljen. Zgjatja e afatit nuk i zgjidh problemet tona tha May me një zë të ngjirur pas humbjes historike. “Nëse e kërkojmë këtë shtyrje, ky parlament do t’i japë llogari BE-s se për çfarë ju duhet”, tha ajo.

Lideri i laburistëve Jeremy Corbyn tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk dhe negociatori i Brexit Mishel Barnier thanë se kanë bërë të pamundurën deri tani, por këtej e tutje kriza zgjidhet vetëm në Britaninë e Madhe. “Ne po bëhemi gati për një dalje pa plan”, shkruan Barnier në rrjete sociale.

Disfata e May  në parlament erdhi pas një votimi me një diferencë prej 149 votash.

Ligjvënësit britanikë refuzuan në shumicë marrëveshjen e kryeministres Theresa May për “Brexit”-in, për të dytën herë këtë të martë, duke e çuar kështu Britaninë e Madhe në një situatë të panjohur vetëm 17 ditë përpara shkëputjes së pritshme të saj nga Bashkimi Europian.

Dhoma e Komunëve në Britani votoi me 391 vota kundër dhe vetëm 242 pro, duke refuzuar kështu planin e kryeministres, edhe pse May kishte siguruar garanci të mëtejshme nga Brukseli mbi ato që konsideroheshin si elementët më kontroversë të marrëveshjes.

Vendi rrezikon tashmë një kaos ekonomik, pasi Britania pritet të ndërpresë marrëdhëniet me partnerin e saj më të madh tregtar, BE-në, pas plot 46 vitesh, më 29 mars.

May paralajmëroi euroskeptikët, shumica e të cilëve bënë fushatë për t’u larguar nga BE-ja gjatë viteve të fundit, se nëse marrëveshja e saj dështonte, atëherë mund të dështonte edhe vetë “Brexit”.

May, gjithsesi iu premtoi ligjvënësve se do t’iu lejonte të votonin për opsionin e shkëputjes “pa marrëveshje” ditën e mërkurë, e nëse edhe ky opsion refuzohej, atëherë të enjten do të vendoste nëse do t’i kërkonte BE-së të shtynte procesin e “Brexit”-it.

“Nëse ky votim nuk kalon sot, nëse kjo marrëveshje nuk miratohet, atëherë do të humbasë Brexit”, tha ajo përpara votimit. Megjithatë, euroskeptikët besojnë se marrëveshja ishte aq e keqe, saqë ia vlen të rrezikohet edhe shkëputja pa marrëveshje me BE-në.

“Ne duhet të ndërmarrim atë që duket tashmë si rruga më e vështirë, por që në fund do të rezultojë rruga që garanton respektin tonë për veten”, tha ish-ministri i Jashtëm Boris Johnson, pretendent për të pasuar Mayn nëse ajo dorëhiqet.

 “Nuk do të ketë një mundësi të tretë”, ishte shprehur shefi i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pas bisedës së tij me Mayn gjatë së hënës.

Nëse ligjvënësit britanikë votojnë kundër shkëputjes “pa marrëveshje” të mërkurën dhe do të dëshirojnë shtyrjen e “Brexit”-it, atëherë 27 vendet e tjera të Bashkimit Europian duhet të japin pëlqimin e tyre. Krerët e vendeve të BE-së do të mblidhen në Bruksel për një samit gjatë datave 21-22 mars. Gjithsesi, “Brexit duhet të përmbyllet përpara zgjedhjeve europiane” që do të mbahen në fund të majit.