MENU
klinika

Ermir Lenjani

“Sa të jetë Panucci, nuk vij në Kombëtare”

18.03.2019 - 19:54

Një tjetër çështje ka plasur në Kombëtaren shqiptare të futbollit. Pas Taulant Xhakës me De Biasin, tani është Ermir Lenjani që e ka kapur me Panuccin.

Trajneri nuk e ka grumbulluar Lenjanin, që për hir të së vërtetës, ka qenë në formë kohët e fundit, me gola e asiste të shënuar në kampionatin zviceran.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Lenjani ka reaguar ashpër dhe ka marrë një vendim drastik. Sipas tij, sa të jetë Panucci trajner, nuk do të vijë më në Kombëtare.

“Që nga viti 2013 jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe ndihem krenar për këtë gjë. Sa herë jam ftuar, e kam pranuar ftesën me dëshirën më të madhe, pasi çdo herë kur e kam veshur fanellën kuq e zi, e kam veshur me shumë dashuri.

Kam qenë gati gjithmonë, kam sakrifikuar shumë, jam gjakosur, kam qarë e kam qeshur si futbollist i Shqipërisë. Kam pranuar edhe stolin, por jam respektuar gjithmonë.

Tani, në dy vitet e fundit, jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë, por po injorohem nga trajneri momental i Kombëtares.

Nuk kam luajtur asnjë minutë në Ligën e Kombeve, por nuk kam bërë zhurmë dhe kam vazhduar të punoj edhe më fort. Kur lëndohen 4-5 lojtarë trajnerit i bie në mend që luan dikund Ermir Lenjani dhe më dërgon ftesë. Faleminderit, por JO.

Me lot në sy e them se nuk do të grumbullohem më me Kombëtaren sa të jesh ti aty. Kam kontribuar shumë dhe meritoj respekt.

Dashuria ime për Shqipërinë është më e madhe se urrejtja jote për mua. Unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem djalë i Shqipërisë, ndërsa ti je vetëm kalimtar”, – tha Lenjani.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN