Kombëtarja shqiptare nesër në mbrëmje do të luajë ndeshjen e dytë elimiminatore të “Euro 2020” dhe për këtë qëllim është zhvilluar edhe konferenca e zakonshme për shtyp në Andorrë.
Ka qenë kapiteni Elseid Hysaj që ka folur përpara mediave në konferencën përshtyp për ndeshjen me Andorrën, i shoqëruar nga Ervin Bulku, në rolin e trajnerit për këtë ndeshje.
Si e pritët largimin e Panuccit?
Besoj që nuk duhet ta mendojmë punën e trajnerit. Kemi një ndeshje të rëndësishme që duhet ta fitojmë, na duhen tre pikë jo vetëm për Europianin, por edhe për moralin tonë dhe gjithë shqiptarët. Duhet të fitojmë dhe mos të mendojmë shumë për trajnerin.
Si kanë ndikuar gjithë këto ngajarje në këto ditë?
Jemi të gjithë me mendjen që duhet të fitojmë. Do të jetë një ndeshje shumë e veshtirë dhe do ta kemi të vështirë të shënojmë, ashtu siç e pati dhe Islanda. Nuk duhet të mendojmë për asgjë që ka ndodhur, duhet të vazhdojmë.
Si është situata në dhomat e zhveshjes?
Situata është shumë e mirë. Ndeshja e humbur nuk do na dënojë për të gjithë ndeshjet e radhës. Duhet ta harrojmë atë që ka ndodhur. Do jetë e vështirë po nuk e harruam humbjen. Jemi gati për të dhënë maksimumin në ndeshjen ndaj Andorrës.
Panucci tha se disa prej lojtarëve kanë qarë…Si është gjendja psikologjike?
Kështu e ka futbolli. Ne duhet të mendojmë për të mirën e ekipit kombëtar. Nuk duhet të rrimë mbrapa këtyre gjërave që ndodhëm. Jemi mërzitur, sepse kemi kaluar edhe çaste të bukura me trajnerin Panuccin.