Milani ka arritur të marrë një fitore mjaft të rëndësishme në mbrëmjë ndaj Lazios.
Kuqezinjtë kanë mposhtur një rival serioz në garën për një vend që të çon në Champions League. Në minutat e para Lazio pati një mundësi për të shënuar me Ciro Immobile, por italiani nuk shfrytëzoi siç duhet rastin.
Të dy ekipet patën mundësi të mira në pjesën e parë por as Correa nga Lazio apo Suso dhe Calhanoglu nga Milani nuk arritën të zhbllokonin rezultatin.
Pjesa e dytë foli më shumë për milanezët të cilët e kërkuan më shumë avantazhin.
Minuta e 76’ i riktheu kuqezinjve makthet e ndeshjes me Juven, me gjyqtarin që vendosi të anullonte një penallti të akorduar një minutë më parë, pas rishikimit në VAR. Megjithatë vetëm 2 minuta më vonë ishte mbrojtësi me origjinë shqiptare Riza Durmisi që shkaktoi një penallti në favor të Milanit.
Numri 79 i Milanit, Franck Kessie ekzekutoi në mënyrë të saktë 11-metërshin, në minutën e 79’ duke I dhënë qetësinë e duhur skuadrës kuqezi.
Goli i ndihmoi të besuarit e Gattuzos të kërkonin avantazhin e dyfishtë dhe Lazio u tërhoq e gjitha prapa duke mos kërcënuar portën e Reinas. Lacialët nuk shfrytëzuan as 6 minutat shtesë duke mbyllur ndeshjen me fitoren e kuqezinjve.
Milani merr 3 pikë të arta në garën për një vend në Champions duke u renditur në vendin e katërt, një pikë më shumë se Roma e cila më parë mposhti minimalisht Udinesen me gol të Dzekos.