MENU
klinika

Tension në stërvitje

Bayern nuk gjen qetësi/ Grushte mes Lewandowksit dhe Coman

11.04.2019 - 19:31

Edhe pse shkatërruan Dortmundin me shifrat 5-0 dhe morën kryesimin e Bundesligës gjermane, në kampin e Bayern Munchen nuk ka qetësi.

Mediat gjermane raportojnë se në stërvitjen e sotme, Robert Lewandowski pati një përplasje fizike me Kingsley Coman, madje nuk kursyen as grushtet ndaj njëri-tjetrit.

Sipas “Bild”, lojtarët u goditën në fytyrë pasi kishin fyer njëri-tjetrin. Mësohet se ‘molla e sherrit’ ishte një koment nga sulmuesi polak drejt Coman dhe ky i fundit nuk e pëlqeu aspak.

U desh ndërhyrja e Niclas Sule dhe Jerome Boateng për të qetësuar gjakrat por asnjë nga futbollistët nuk tërhiqej. Ajo që habiti më shumë është se trajnieri bavarez, Niko Kovac, i lejoi të dy të vazhdonin stërvitjen në vend që të ktheheshin në dhomën e zhveshjes. Kjo i habiti jo pak lojtarët dhe drejtuesit e tjerë gjermanë.

Fitorja 5-0 e fundjavës së kaluar kundër Borussia Dortmund i ndihmoi bavarezët të parakalonin rivalët e tyre në renditje duke marrë kreun e tabelës. Kur ngelen edhe 6 ndeshje nga përfundimi i kampionatit, konflikti i Lewandowskit dhe Coman mund të prishë jo pak ekuilibrat në skuadër.

I takon trajnierit Niko Kovaç që të zgjidhë këtë çështje sa më shpejt, për të mbrojtur titullin kampion duke qenë se Dortmundi ndjekës, është një kërcënim real për bavarezët.