MENU
klinika

Flet Altin Lala

“E mbajta në shtëpi, pres shumë nga Rashica”

05.04.2019 - 11:49

Nëntë gola për Milot Rashicën këtë sezon, i fundit spektakolar në Kupën e Gjermanisë, duke kualifikuar ekipin e tij, Werder Bremen.

Mesfushori kosovar është futbollisti i momentit në elitën e futbollit gjerman. Ai ka shpërthyer në vitin 2019 ku me fanellën e Ëerder Bremenit thuajse në çdo takim shënon apo asiston për bashkëlojtarët e tij.

Por prapa këtij suksesi të Milotit qëndron legjenda e futbollit shqiptar, Altin Lala që i ka ndihmuar nga fillimet e karrierës së tij.

Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë është rrëfyer për portalin gjerman ‘Deichstube.de’, rreth zbulimit të Rashicës dhe ndihmës që i dha për të dalë në Evropë.

“Për herë të parë Rashicën e pashë në televizion, në një ndeshje mes Kosovës dhe Ganës U-21, kur Miloti ishte vetëm 16 vjeçar. Në atë moment i thashë djalit tim ta shikonte me vëmendje këtë futbollist, pasi ishte vërtet i mirë”, – tregon fillimisht Lala.

Për herë të dytë kur Lala e pa Rashicën ishte një vit e gjysmë më vonë, pasi legjenda e futbollit shqiptar ishte në Kosovë dhe po kërkonte futbollistë të rinj për Shqipërinë U-19.

“U takova me të dhe ishte edhe babai i tij. Aty ka lindur gjithë plani dhe vendosa ta mbështesë këtë djalë në rrugëtimin e tij”, – tregon Lala.

Lala e dërgoi Milotin në provë te Hannover, skuadra ku tiranasi kishte 14 vite gjatë karrierës së tij. “Organizuam një provë, por Miloti ishte i pafat, pasi pësoi një lëndim në ligament”, – thotë Lala.

Por ish-mesfushori i Kombëtares tregon se kishte vendosur që ta merrte përsipër edhe shërimin e tij, duke e mbajtur në shtëpinë e tij në Hannover.

“Ai jetoi në shtëpinë time thuajse një vit, por për shkak të statusit të tij, ai nuk u lejua të qëndrojë më shumë se 90 ditë radhazi në Gjermani”, – thotë Lala që është menaxher i mesfushorit të Kosovës.

Pasi Rashica kaloi dëmtimin, me sugjerimin e Lalës, skuadra holandeze Vittese e transferoi lojtarin në Eredivisie. Fillimisht Rashica iu bashkua ekipit të dytë të Vitteses, por në fazën përgatitore ai shkëlqeu për ta marrë një rol të rëndësishëm në formacionin bazë të skuadrës verdhezi.

E falë shkëlqimit në elitën e futbollit holandez, ku në 100 ndeshje zyrtare shënoi 15 gola e dhuroi 24 asistime, katër herë kampionët e Gjermanisë, Werder Bremen paguan shtatë milionë euro për transferimin e tij.

Ndërkohë, Lala, që është menaxher i Milotit, thotë se i pëlqen të ndihmojë futbollistët e talentuar, pasi profesioni i menaxherit nuk është primar.

 

“Unë e bëj punën e menaxherit vetëm pjesërisht, pasi nuk është profesioni im primar. Më pëlqen t’i ndihmoj futbollistët e talentuar”, thotë ish-mesfushori shqiptar.

Lala nuk e sheh Milotin duke bërë një lëvizje të shpejtë në karrierë, edhe pse pas paraqitjeve të tij të shkëlqyeshme këtë vit ka zëra se interesohen klubet angleze.

“Nuk e kemi këtë diskutim momentalisht. Nuk ka asgjë. Miloti ka një kontratë deri në vitin 2022 dhe ka vetëm tre muaj që po luan shumë mirë. Jemi shumë të qetë dhe duam t’i bëjmë hapat me radhë”, – tha Lala.

Në fund Lala ka thënë se ka qenë gjithmonë i vetëdijshëm për aftësitë e Milotit, por që pret edhe më shumë nga Rashica.

“Unë isha i vetëdijshëm që Miloti mund të arrinte shumë me aftësitë që ka, por ai mund të bëjë edhe më shumë”, – ka deklaruar prononcimin e tij Lala për “Deichstube”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN