Sonte në mbrëmje luhen ndeshjet e para çerekfinaliste të Champions League, teksa Tottenham pret Manchester City, ndërsa Liverpool përballet me Porton.
Nesër është radha e dy sfidave të tjera, Manchester United-Barcelona dhe Ajax-Juventus. Por kampioni i Italisë ka marrë një lajm jo të mirë përpara sfidës me Ajax.
Giorgio Chiellini i ka humbur të gjitha mundësitë për të qenë i pranishëm në këtë sfidë. Mbrojtësi ka probleme me pulpën dhe sot nuk ka mundur të stërvitet me grupin për shkak të dhimbjeve, megjithëse tentoi të zhvillonte seancën.
Pozitive është se Ronaldo ka zhvilluar stërvitje të plotë dhe pritet të jetë në fushë. Një tjetër dhimbje koke për Allegrin është se edhe Emre Can do të jetë zyrtarisht jashtë sfidës, pasi nuk ia ka dalë të rikuperohet.
Juventus humbet 2 lojtarë të rëndësishëm, por fiton atë më vendimtarin, Ronaldon. Portugezi edhe njëherë tjetër do të kërkojë të jetë protagonist në Champions, teksa e ka fituar 3 herë radhazi së fundmi.