MENU
klinika

Flet "The Special One"

Mourinho përgatit rikthimin/ I shpreh dashurinë Interit

24.04.2019 - 21:40

Pas shkarkimit në mesin e sezonit nga Manchester United, Jose Mourinho po përgatit rikthimin në pankinë këtë verë.

Për të ardhmen e portugezit janë përfolur shumë emra por deri tani nuk ka pasur asgjë konkrete.

Në një intervistë të dhënë për “DAZN”, tekniku ka folur për rikthimin e tij, eksperiencën te Interi, por edhe futbollistë konkretë si Ibrahimoviç, Sneijder dhe Maicon.

“Jam gati të rifilloj punë që këtë verë, me një projekt vërtetë interesant. Njerëzit përpiqen të harrojnë, por garancia e punës time, janë trofetë e shumtë që kam fituar. Hera e fundit ka qenë në Europa League, më 2017-ën. Mund t’ju them se nuk do të rikthehem në Londër, as në Premier League.” ka thënë Mourinhio  duke përjashtuar qëndrimin në Premier League.

Mou ka folur edhe për kohët e tij tek Interi, ku si gjithmonë nuk harron të shprehë dashurinë ndaj klubit zikaltër.

“Kam gjetur një familje të jashtëzakonshme, që më ka bërë të lumtur çdo ditë të qëndrimit në Appiano. Lidhjen e fortë me tifozët e kanë dhënë edhe trofetë, pasi kur fiton, ka gjithmonë muaj mjalti. Italia ka qenë një habitat natyral për mua, ndryshe nga Anglia, kur shpesh duhet të sillesha ndryshe.

Në Itali futbolli jetohet 24 orë, një mënyrë latine kjo, që më përshtatet në mënyrë perfekte. Më pëlqen shumë që kur dal xhiro në Londër, vijnë interistë që më flasin e përqafojnë.

Largimi i Ibrahimoviç: Ai është fantastik, por ka një vetëvlerësim të jashtëzakonshëm. Tha se donte të ikte për të fituar Championsin dhe unë në mënyrë spontane i thashë se ndoshta do ta fitonim ne. Skuadra reagoi mjaft mirë dhe pasigurinë e ktheu në forcë, duke mbyllur një sezon perfekt.

Sneijder: Kemi ngulmuar shumë për ta pasur në skuadër, pasi Reali një ditë thoshte se do ta shesë dhe ditën tjetër ndërronte mendje. Unë dhe Oriali bindëm presidentin, por edhe rrezikuam shumë, pasi e morëm vetëm në orët e fundit të merkatos. Më pas luajti derbin vetëm dy ditë pasi kishte ardhur dhe të gjithë e dimë çfarë bëri.

Maicon: Para pushimeve të Krishtlindjeve, luanim në transfertë ndaj Sienës dhe Maicon kishte 4 kartonë. Më kishin thënë se po mendonte të merrte të pestin, për të shkuar me pushime në Brazil, ndaj e thërrita dhe i thashë:

Nëse ndëshkohesh, nuk shkon me pushime. “Po nëse shënoj?’. Atëherë pushimet të dyfishohen, i thashë. Në fakt Maicon shënoi dhe mori karton të verdhë pasi hoqi bluzën duke festuar dhe shkoi dy javë me pushime.”, rrëfeu “The Special One”.