MENU
klinika

"Hapi më i mirë"

Erdogan s’pranon humbjen, përsëritje zgjedhjesh në Stamboll

07.05.2019 - 15:56

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka mirëpritur një urdhër të diskutueshëm për të përsëritur zgjedhjet e fundit të Stambollit pas ankesave të korrupsionit si “hapi më i mirë” për vendin.

“Ne e shohim këtë vendim si hapi më i mirë që do të forcojë vullnetin tonë për të zgjidhur problemet brenda kuadrit të demokracisë dhe ligjit”, tha Erdogan në një takim të partisë së tij AKP në parlament.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi organi më i lartë zgjedhor anuloi votimin e 31 marsit ku fitues rezultoi kandidati i opozitës Ekrem İmamoğlu.

AKP ka refuzuar të pranojë humbjen, duke përmendur “parregullsi dhe korrupsion” në votim. Erdogan të martën foli për “krimin e organizuar” dhe “korrupsionin serioz” gjatë votimit.

“Dokumentet që kemi paraqitur janë mjaft solide dhe bazuar në prova konkrete të cilat nuk mund të kontestohen”, tha ai. “Ne sinqerisht besojmë se ka pasur korrupsion dhe parregullsi të organizuara”.

Ai tha se qeveria e tij nuk ka marrë parasysh “hajdutët” që vodhën “vullnetin kombëtar” në kutinë e votimit, “populli ynë do të kërkojë një shpjegim prej nesh”.

Kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu e përshkroi masën si “të pabesë”. Dhe në një fjalim të transmetuar në mediat sociale, Imamoglu i CHP, i cili u konfirmua si kryebashkiak i Stambollit para se ti hiqej titulli, akuzoi bordin zgjedhor dhe tha se ata ishin të ndikuar nga partia në pushtet.

“Ne kurrë nuk do të bëjmë kompromis mbi parimet tona,” i tha ai turmës. “Ky vend është i mbushur me 82 milionë patriotë që do të luftojnë … deri në momentin e fundit të demokracisë”.

Vendimi për të mbajtur një votim të ri, i cili do të mbahet më 23 qershor, nxiti protesta në të gjithë qytetin të hënën. Qindra njerëz u mblodhën në disa rrethe, me slogane anti-qeveritare.

Guvernatori i Stambollit Ali Yerlikaya është caktuar si kryetar i bashkisë së qytetit deri në votimin e ri.

Bashkimi Europian bëri thirrje që organi zgjedhor i Turqisë të shpjegojë arsyet për rivendosjen “pa vonesë”. “Sigurimi i një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe transparent është thelbësor për çdo demokraci dhe është në zemër të marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Turqinë”, tha në një deklaratë shefja diplomatike e BE, Federica Mogherini.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas tha se vendimi ishte “jo transparent dhe i pakuptueshëm “.

Qeveria franceze gjithashtu tha se autoritetet turke duhet të tregonin “respektin për parimet demokratike, pluralizmin, drejtësinë dhe transparencën”.

Me 16 milionë banorë, Stambolli është motori ekonomik i Turqisë dhe kontrollon një pjesë të madhe të shpenzimeve publike.