Sot është 500-vjetori i vdekjes së Leonardo Da Vinçit, artist, shkencëtar, shpikës, trashëgimia e të cilit përfaqëson një thesar të vërtetë. Kanë kaluar 500-vjet nga vdekja e gjeniut të madh, trashëgimia e të cilit nuk resht së na mësuari dhe që ende sot vijon të jetë një thesar i pashtershëm. Piktor, inxhinier dhe shkencëtar, gjeni dhe talent universal i Rilindjes, ai mishëron kryekëput frymën e epokës së tij, duke e çuar atë në format më të mëdha të shprehjes në fushat e ndryshme të artit dhe njohurisë. U mor me arkitekturë dhe skulpturë, ishte hartues, shkrues traktatesh, skenograf, anatomist, muzikant dhe, në përgjithësi, projektues dhe shpikës. Konsiderohet si një nga gjenitë më të mëdhenj të njerëzimit, personalizoi gjeniun e Rilindjes që revolucionarizoi si artet figurative, ashtu edhe historinë e mendimit dhe shkencës.
Leonardo ishte djali i madh i noterit Sër Piero da Vinçi, nga familje e pasur dhe e Katerinës, një grua nga shtresa e ulët shoqërore; fryt i një marrëdhënie të paligjshme mes tyre. Vendlindja e Leonardos nuk shënohet në regjistër, por besohet të jetë shtëpia e familjes së Sër Pieros, si edhe një fermë në Anchiano, ku do jetonte më pas nëna e Leonardos. Pagëzimi u zhvillua në kishën Santa Croce, që ndodhej atypari, por si babai dhe nëna mungonin, sepse nuk ishin të martuar. Sër Piero kishte punuar tashmë në Firence dhe në vitin 1462, u kthye atje me familjen e tij, përfshirë edhe Leonardon e vogël. I ati i tregoi shokut të vet, Andrea del Verrocchio, disa vizatime që do ta bindnin mjeshtrin ta merrte Leonardon në atelienë e tij. Fëmija mësoi të shkruante me të majtën dhe kokë poshtë, një mënyrë krejt e pazakontë nga shkrimi normal.
Së fundmi, Sër Piero e dërgoi djalin, nga 1469 ose 1470, në atelienë e Andrea del Verrocchio, i cili në ato vite ishte një nga më të rëndësishmit në Firence, si dhe një burim i vërtetë i talenteve të reja. Mes studentëve ishin emrat e atyre që do të bëheshin mjeshtër të mëdhenj të brezit të ardhshëm, si Sandro Botiçeli, Perugino, Domenico Ghirlandaio dhe Lorenzo di Credi, ku atelieja realizonte një aktivitet të shumëfishtë, nga piktura tek teknika të ndryshme të skulpturës (mbi gur, shkrirje dylli dhe gdhendje druri), deri në artet “e vogla”. Mbi të gjitha, stimulohej praktia e vizatimit, duke i sjellë të gjithë bashkëpunëtorët në një gjuhë gati të përbashkët, aq sa edhe sot hasen vëshitrësi në indentifikimin e punëve nëse ka dalë nga dora e kryemjeshtërit apo nga një nxënës i caktuar. Për më tepër studentët mësonin nocione të zdrukthëtarisë, të mekanikës, të inxhinierisë dhe arkitekturës.
I pavarur prej vitit 1478, në vitin 1482-83 u ndodh në Milano në oborrin e Ludovico il Moro, i dërguar si muzikant nga Lorenco i mrekullueshmi; Leonardo u deklarua i aftë të shpikte dhe të ndërtonte pajisje lufte, të projektonte vepra arkitekturore, hedhje në bronz dhe skulpturë, pikturë. Në Milano punoi intensivisht si piktor, punoi për një monument të Francesco Sforza, për aparatura festash dhe skenograf, inxhinier ushtarak, këshilltar për probleme arkitekturore. Kjo periudhë ishte nga më të frytshmet në veprat e realizuara.
Në veçanti, Leonardo ishte në gjendje të thellonte studimet e tij shkencore dhe të ndërmerrte projekte të reja, si në fushën e fizikës dhe shkencave natyrore. Në dhjetor 1512, kthimi i Masimiliano Sforzës në Milano e detyroi Leonardon të strehohej në Vaprio, pranë dishepullit më besnik Francesco Melzi, derisa, në vitin 1513, ai u thirr në Romë nga Xhuliano de Mediçi. Por në Romë Leonardo e pa veten të përjashtuar nga veprat e mëdha të kohës: projektet për Shën Pjetrin dhe dekorimin e Vatikanit; ai u mor me traktatin De vocie që kishte pergatitur; u pengua në kërkimet e tij të anatomisë, vazhdoi të punonte në studimet matematikore dhe shkencore.
Leonardo nuk i kishte ndërprerë marrëdhëniet me Francën, ndaj në vitin 1517 ai u strehua pranë Françesko I, i cili i ofroi vendbanimin në kështjellën e Cloux pranë Amboise, duke i akorduar edhe një pension vjetor si “kryemjeshtër, arkitekt dhe mekanik i mbretit”. Leonardo kishte marrë pikturat me vete, ato që kishte filluar në Firence, një “pafundësi vëllimesh” shënimesh dhe megjithëse, i paralizuar nga dora e djathë, kreu me pasion studime të anatomisë, iu kushtua arkitekturës (projekti për kështjellën dhe Park Romorantin) apo për aparatet e festave. Dëshmi mbresëlënëse të periudhës së fundit janë vizatimet, në të cilat imagjinohet fundi i botës, ngjarje fantastike në të cilën operon me koherencën e logjikës dhe me një bukurinë të jashtëzakonshme fuqitë e natyrës së hetuar nga Leonardo.