Në përvjetorin e 20-të të çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO’s në Kosovë pritet të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.
Në këtë përvjetor jubilar do të marrë pjesë edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Bill Clinton.
Për këtë komuna e Prishtinës shihet se ka angazhuar një kompani pastrimi për ta pastruar statujën e ish-Presidentit amerikan, Bill Clinton, në Dardani.
Gjatë vitit 1999 ShBA në krye me ish-Presidentin Clinton kanë qenë protagonistët kryesorë në vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga Aleanca Veriatlantike NATO që atëbotë udhëhiqej nga gjenerali i famshëm amerikan Wesley Clark.
Përveç ish-Presidentit Clinton në ditën e çlirimit të Kosovës më 12 qershor pritet të jetë edhe ish-sekretarja e ShBA-së Madeline Albright, shkruan Gazeta Metro
Në kohën e intervenimit dhe të çlirimit të Kosovës, zonja Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Kjo është hera e katërt që Bill Clinton po e viziton Kosovën, ish-Presidenti Amerikan për herë të fundit e kishte vizituar Kosovën para 10 viteve, më 1 nëntor 2009 ku ishte pritur në mënyrë madhështore nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Po atë ditë ishte përuruar edhe shtatorja e tij në bulevardin Bill Clinton në kryeqytetin e Kosovës.