MENU

Me ose pa marrëveshje

Boris Johnson: Në 31 tetor largohemi nga BE

25.06.2019 - 13:55

Kandidati kryesor për kryeministër të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se në rast të zgjedhjes si kryeministër, do të kërkojë një marrëveshje të re me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë nga blloku.

Mirëpo, ai paralajmëroi se nëse BE-ja refuzon kërkesat e tij, atëherë Britania do të largohet pa marrëveshje më 31 tetor.

Ish-kryediplomati britanik tha në një intervistë për BBC se pakti ekzistues i negociuar nga kryeministrja në largim, Theresa May, ka marrë fund.

“Unë premtoj se do të dalim nga BE-ja natën e halloween më 31 tetor. Miqtë dhe partnerët tanë duhet ta kuptojnë se e kemi seriozisht, dhe se jemi gati të çlirohemi nga retë e disfatizmit dhe negativitetit që na kanë mbështjellë prej kohësh,tha Johnson.

Kriza trevjeçare e Brexit-it mund të thellohet, pasi premtimi i Johnsonit për të lënë BE-në pa marrëveshje mund të ngjallë reagime të ashpra në parlamentin britanik, deputetët e së cilit, kanë kundërshtuar daljen e vendit nga BE-ja, pa një marrëveshje.

BE-ja ka refuzuar të rinegociojë Marrëveshjen e largimit të arritur në maj të nëntorit të kaluar me qeverinë britanike.

Parlamenti britanik e ka hedhur poshtë tri herë këtë marrëveshje.

Sipas Johnson, vendi nuk do të vuajë sa ç’përflitet në aspektin ekonomik, pasi raportet tregtare me BE-në do të rregullohen nga Organizata Botërore e Tregtisë.

Kandidati favorit për postin më të lartë qeveritar refuzoi të komentojë incidentet në jetën e private, dhe përkatësisht kontaktin e fundjavës së kaluar me policinë pas grindjes verbale me partneren në shtëpinë e tij.

Ndërkohë, një ditë më parë rivali dhe kryediplomati britanik Jeremy Hunt, theksoi se Johnson po i shmanget debateve ballë-për-ballë.

Njëri nga dy kandidatët e mbetur pritet të shpallet kryeministër dhe lider i konservatorëve në datën 22 korrik, kur do të shprehen me votë rreth 160 mijë anëtarë të Partisë Konservatore britanike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN